Alain Delon dhe dashuria e tij për kafshët, ylli i kinematografisë do të varroset pranë 50 qenve të tij
“E gjithë jeta ime është atje, në varret e qenve të mi”. Në këto fjalë mund të shihet gjithë dashuria që Alain Delon kishte për miqtë e tij me katër këmbë. Dhe në mjediset e shtëpisë së tij në Douchy, gjatë jetës së tij, rreth 50 qen gjetën prehje të përjetshme. Secili me gurin e varrit të tij, me emrin e tij. Çiftet u varrosën së bashku. Një varrezë, për t’i pasur pranë vetes përgjithmonë. Një vend i përjetshëm ku vetë aktori francez kërkoi të varrosej, shkruan ‘La Repubblica’.
Alain Delon, seks simboli me një jetë të trazuar, i cili vdiq sot në moshën 88-vjeçare, ka gjetur gjithmonë tek qentë atë dashurinë e vërtetë dhe të sinqertë që mbushte vetminë e brendshme me të cilën jetoi, sidomos në vitet e fundit të jetës.
Aktori ka jetuar gjithmonë me qen dhe një nga miqtë e tij të parë me katër këmbë ishte Gaia, një femër Dobermann. “Një ditë i bërtita, i rashë në të pasme. Ajo u ul dhe më shikoi – tregonte Delon – e pashë duke qarë”. Që nga ajo ditë Delon e kuptoi se sa mirë qentë janë në gjendje të përcjellin emocionet e tyre: “Që atëherë kam kuptuar gjithçka. Që atëherë qentë e mi kanë buzëqeshur gjithmonë”, shtoi ai.
Një dashuri që e shtyu të ndihmonte edhe kafshët me më pak fat se të tijat: Delon ka qenë gjithmonë ndër mbështetësit kryesorë të betejave të mikut të tij Brigitte Bardot për të drejtat e kafshëve. Aktori gjithashtu nuk u përmbajt të bënte gjeste të bujshme: një herë ai dërgoi një helikopter për të shpëtuar një kotele të cilës i kishin shkëputur putrat. Pasi u shërua, ai e mori kotelen në vilën e tij.
Në vitin 2009, një episod tjetër tregoi dashurinë e tij të madhe për qentë: afër Perpignan, një qen endacak përfundoi viktimë e çmendurisë mizore të një çifti – një vajze 22-vjeçare dhe i dashuri i saj 17-vjeçar – të cilët e lyen atë me benzinë ??dhe i vunë zjarrin. Ai Pinscher i vogël, i quajtur më vonë Mambo, i mbijetoi djegieve të rënda të shkallës së tretë mbi 40 për qind të trupit të tij, falë disa trajtimeve veterinare. Rasti shkaktoi zemërim të madh dhe lindi një zinxhir solidariteti në të cilin morën pjesë figura si futbollisti Zinedine Zidane dhe vetë Alain Delon.
Një nga qentë e tij të fundit ishte Loubo, me të cilin ai ishte shumë i lidhur. Një lidhje e frikshme, aq sa një ndër dëshirat e fundit të aktorit në rast se do të vdiste, ishte që qeni i tij ti nënshtrohej eutanazisë, në mënyrë që të mos jetonte më pa të. Një dëshirë që shkaktoi një zemërim, dhe ndau në mes personat që merren me të drejtat e kafshëve, shumica e të cilëve e konsideruan një egoizëm gjestin e akrorit.
Të tjerët panë në ato fjalë shqetësimin e sinqertë të atyre që jetonin brenda dhimbjes së të ndjerit vetëm: “Sa vite më kanë mbetur për të jetuar? Mund të arrij deri në 90, 92 vjeç. Nuk jam unë ai që vendos, është Tjetri atje lart. Unë nuk dua ta lë vetëm qënin tim”, tha Delon në një intervistë.
“Dua që ai të vdesë në krahët e mi. E preferoj më shumë këtë rrugë, sesa të di që aid do ta lërë veten të vdesë mbi varrin tim, duke u përballur me shumë vuajtje”, vijoi aktori.
Dhe ishte pikërisht kjo dashuri që e bëri aktorin francez të vuante shumë kur Loubo u përfshi edhe në betejat e fundit familjare: ndër akuzat e ndryshme të ngritura ndaj partneres së aktorit, ishte edhe ajo e keqtrajtimit të qenit, i cili përfundoi më pas në një strehë.
voxnews.al