Al Pacino dhe De Niro, baballarë mbi të 80, çfarë thotë shkenca!

BBC/ Aktori Al Pacino, 83 vjeç pritet të bëhet baba me të dashurën e tij 29-vjeçare, Noor Alfallah.

Edhe Robert De Niro konfirmoi se do të behet baba për herë të shtatë, në moshën 79-vjeçare.

Dyshja sigurisht nuk janë baballarët e parë të vjetër: disa aktorë të tjerë meshkuj, muzikantë dhe madje edhe presidentë të SHBA-ve kanë pasur fëmijë vonë në jetë. Dhe mosha mesatare e baballarëve në përgjithësi ka ardhur duke u rritur me kalimin e viteve. Midis 1972 dhe 2015, ajo u rrit me 3.5 vjet: babai mesatar në SHBA është 30.9 vjeç.

Babai më i vjetër të paktën sipas rekordeve botërore Guinness, ishte 92 vjeç.

Megjithatë, të bëhesh baba i madh në moshë mbart rreziqe.

Në dhjetor 2022, studiues nga Universiteti i Utah-s dhe institucione të tjera publikuan një përmbledhje gjithëpërfshirëse për meshkujt që bëhen prindër në moshë të madhe dhe ndikimet në fertilitet, problemet në shtatzëni dhe shëndetin e fëmijërisë.

Ndërsa shumë nga studimet ka të ngjarë të mos kishin përfshirë shumë burra të moshës së Pacino-s, për shkak të asaj se sa të pazakonshëm janë ata, provat sugjerojnë se sperma e burrave në të dyzetat dhe të pesëdhjetat e tyre është tashmë me cilësi më të ulët për sa i përket vëllimit, sasisë, lëvizshmërisë dhe mutacioneve.

Këto ndryshime nënkuptojnë se mosha e madhe e babait “është e lidhur fort me një rrezik të lartë jo vetëm të infertilitetit, por edhe të humbjes së shtatzënisë pas konceptimit natyral”, shkruajnë studiuesit. Disa studime, theksojnë ata, kanë treguar se një baba i moshuar rrit ndjeshëm rrezikun e abortit.

Pastaj ekziston rreziku i sëmundjes pas lindjes. Dihet që nga vitet 1950 se baballarët e moshuar kanë më shumë gjasa të kenë fëmijë me çrregullimin gjenetik achondroplasia.

“Është bërë gjithnjë e më e qartë se mosha e avancuar e babait, ashtu si mosha e avancuar e nënës, është e lidhur me efekte të dobëta shëndetësore tek pasardhësit,” shkruajnë studiuesit e Utah.

Studiuesit në Universitetin e Stanfordit, për shembull, zbuluan se mosha e babait ndikon në peshën e porsalindurve, rritjen e shkallës së kancereve të ndryshme të fëmijërisë, si dhe me defekte të lindura kardiake.

Sidoqoftë, vlen të kujtohet se si shumë studime që shqyrtojnë lidhjet midis shëndetit dhe shkaqeve të mundshme, mekanizmat janë të paqartë. Mund të ketë faktorë të tjerë ndërlikues që luajnë një rol, siç është mënyra e jetesës së prindërve dhe ndotja e mjedisit.

Megjithatë, studiuesit kanë zbuluar se ndërsa meshkujt plaken, ata mund të kapin mutacione dhe dëmtime të ADN-së në qelizat që formojnë spermën që më pas mund t’i kalohet brezit të ardhshëm.

Studime si këto po çojnë në ndryshime në mënyrën se si mjekët dhe shkencëtarët mendojnë për fertilitetin në përgjithësi. Historikisht, ka pasur një tendencë për t’u fokusuar te gruaja dhe mosha e saj kur një çift ka probleme me konceptimin. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e hulumtimit është fokusuar në fertilitetin femëror. Por tani po bëhet e qartë se ndërsa fertiliteti mashkullor mund të bjerë më ngadalë dhe më vonë në jetë se sa tek gratë, mosha e babait ka ende rëndësi.

Tani për tani, rastet e Pacino-s dhe De Niros dhe burrave të tjerë në të shtatëdhjetat, tetëdhjetat dhe nëntëdhjetat e tyrembeten një gjë e rrallë./L.F-dritare.net