Akuzohet për shkelje të barazisë në tendera/ Gjykata e Posaçme lë në burg ish-drejtorin e RTSH, Thoma Gëllçi

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg, ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëlllçi, i cili është nën hetim për shpërdorim detyre, për një tender të dhënë në kohën që ushtronte funksionin.

Kujtojmë që SPAK po kërkon informacione të reja për tenderë të tjerë të zhvilluar gjatë viteve të fundit në RTSH.

Avokati i ish-drejtorit të RTSH-së, Dorjan Matlija, ka deklaruar se zgjerimi i hetimeve është sipas tij tregues kryesor që hetimi për tenderin e parë ka dështuar.

ARRESTIMI

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ka arrestuar mbrëmjen e 8 tetorit ish-drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi dhe tre anëtarë të Komisionit të Ofertave, të televizionit shtetëror. Sipas SPAK-ut, është regjistruar një procedim penal për veprën “Shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tenderë apo ankande publike”. Nga hetimet ka rezultuar se Thoma Gëllçi ka kryer shkelje ligjore në një procedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Mësohet se Policia e Shtetit ka referuar materialet në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda që prej vitit 2019, ndërsa janë dashur 18 muaj hetime për finalizimin e këtij procedimi.

PJESË NGA DOSJA E PROKURORISE

Nga dokumentacioni i këtij tenderi ka rezultuar se, Radio Televizioni Shqiptar (RTSH)ka përcjellë për publikim për herë të parë njoftimin për procedurën prokuruese në Buletinin nr. 42, datë 22.10.2018 te APP-së. Në këtë njoftim, krahas llojit të procedurës dhe objektit të kontratës, në pikën 6 të saj, përcaktohet se “Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin: 45 (dyzetë e pesë) ditë nga data e lidhjes së kontratës”. Si gjithë kushtet tjera të caktuara nga Autoriteti Kontraktor në këtë procedurë, edhe afati ka kushtëzuar dhe afektuar potencialisht operatorët ekonomikë ofertues, të cilët në vlerësim të kapaciteteve dhe mundësive të tyre, kanë zgjedhur të përfshihen ose jo në këtë procedurë prokurimi, në konsiderate thelbësore edhe të afatit 45- ditor, brenda të cilit duhet edhe të siguronin objektin e prokurimit. Ky kriter i rëndësishëm i procedurës prokuruese është përcaktuar në mënyrë të qartë edhe në kontratën administrative nr. 87/ 13 prot., datë 24.12.2018, e cila afat maksimal të ekzekutimit të kontratës ka përcaktuar datën 06.02.2019, pra brenda afatit 45-ditor pas lidhjes së kontratës.

Nga hetimi i kryer në lidhje me këtë procedurë prokuruese ka rezultuar e provuar se, me gjithë përfundimin e afatit kontraktual brenda të cilës subjekti i kontraktual nga AK duhet të kishte dorëzuar objektin e kontratës, nga ky i fundit nuk është kryer një veprim i tillë. Nga ana e Drejtorit Ekzekutiv te RTSH Thoma Gëllçi, pa asnjë bazë objektive dhe të ligjshme, operatorit të përzgjedhur fitues i është caktuar një afat tjetër për ekzekutimin e kontratës, ndryshe nga sa ishte përcaktuar në kontratë, dhe ndryshe nga afati mbi të cilin gjithë kjo procedurë ishte zhvilluar prej datës 17 tetor 2018, e në vijim. Afati për ekzekutimin e kontratës përbënte një kriter i cili ka kondicionuar procedurën e këtij tenderi. Prandaj, veprimi i drejtorit të RTSH-së, duke i dhënë kohë “subjektit të shpallur fitues, jo vetëm që përbën një veprim të pabazuar ne kontratë, por bie ndesh në mënyrë të hapur me parimet bazë të sanksionuar në Nenin 2 të Ligjit nr. 9643/ 2006* “Për Prokurimin Publik” (i ndryshuar), sikurse janë: mosdiskriminimi, transparenca dhe barazia në trajtimin e kërkesave dhe detyrimeve, që u ngarkohen ofertuesve ose kandidatëve.

Panorama.al