Akuzat për abuzim seksual të fëmijëve, gjykata merr vendimin e rëndësishëm për Michael Jackson pas vdekjes
Një gjykatë amerikane ka rrëzuar procesin gjyqësor të një prej akuzuesve të Michael Jackson, i cili pretendon se kompanitë e mbretit të Popit e lejuan këngëtarit që të abuzonte me të dhe fëmijët e tjerë.
James Safechuck pretendon se këngëtari filloi të abuzonte me të kur ishte vetëm 10-vjeç.
Në vitin 2014, ai ngriti padi ndaj MJJ Productions dhe MJJ Ventures duke pretenduar se kompanitë u krijuan për të lehtësuar abuzimin seksual të fëmijëve nga Michael Jackson.
Por gjykatësi e hodhi poshtë çështjen, duke thënë se kompanitë nuk kishin një detyrë të kujdeseshin për Safechuck.
“Jemi të kënaqur që gjykata ra dakord që Safechuck nuk kishte asnjë bazë për padinë e tij,”– thanë përfaqësuesit e kompanive, Jonathan Steinsapir dhe Howard Weitzman.
Safechuck ishte një prej dy burrave që akuzuan yllin e ndjerë të popit për abuzim në dokumentarin e vitit të kaluar Leaving Neverland.
Në procesin gjyqësor të tij, ai tha se Michael Jackson abuzoi me të qindra herë në shtëpitë e tij dhe gjatë turneve në fund të viteve 1980 dhe fillimin e viteve ’90.
MJJ Productions dhe MJJ Ventures u krijuan nga Jackson për të drejtuar karrierën e tij.
Por në procesin gjyqësor u pretendua se: “Qëllimi i dytë i fshehtë i këtyre bizneseve ishte të funksionin si një vend për abuzimin seksual të fëmijëve, të projektuar posaçërisht për të gjetur, tërhequr dhe joshur viktimat e abuzimit seksual të fëmijëve”.
Safechuck gjithashtu u shfaq në një reklamë të Pepsit së bashku me këngëtarin, si edhe shfaqej shumë shpesh në skenë me të.
/Panoramaplus.al