Aktorja tregon se vuan nga skleroza: ‘Nuk do mund ta pranoj kurrë’

Në një intervistë të fundit, aktorja Christina Applegate ka folur për diagnozën e sklerozës së shumëfishtë dhe sesi kjo ka ndikuar në jetën e saj.

50-vjeçarja zbuloi se vuante nga skleroza në verën e vitit 2021, ndërsa ishte ende në mes të xhirimeve për sezonin e fundit të “Dead to Me” në Netflix.

Applegate zbuloi publikisht diagnozën e saj më 10 gusht 2021 në një postim në Twitter. Seriali u detyrua të ndalonte prodhimin për disa muaj, ndërsa aktorja merrte trajtimin e nevojshëm.

Ndërsa ende vazhdon luftën me sklerozën, Christina thotë se “nuk do ta pranojë dot kurrë plotësisht realitetin e saj të ri”.

“Pranimi? Jo, nuk mund ta pranoj kurrë këtë. Jam e inatosur!”, shprehet ajo.

Teksa merr pjesë në intervista për shtyp, me rastin e përfundimit të “Dead to Me”, aktorja thotë se ka shtuar disa kilogramë dhe se i duhet të ecë me ndihmën e një bastuni.

Gjatë intervistës, aktorja tha se nuk donte ta ndërpriste kurrsesi punën, edhe për hir të kolegëve të saj.

“Gjatë xhirimeve, më kanë sjellë edhe karrige me rrota, kur kisha vështirësi në ecje”, shton ajo.

Sezoni i ri i “Dead to Me” publikohet në 17 nëntor, në Netflix.

Burimi: ET Online
Anabelmagazine