Aktorja nuk e ka idenë sa tatuazhe ka në trup: Është e vështirë të ndalosh…
Aktorja Zoë Kravitz, 32 vjeç, thuhet se ka të paktën 56 tatuazhe në trupin e saj, ose edhe më shumë. Në fakt ajo e ka humbur numërimin e tyre, shkruan “InStyle”.
“As nuk e di sa kam,”- tha Kravitz. “Unë nuk i shoh më, sepse jam mësuar shumë me ta.”
Shumica e tatuazheve gjendet tek krahët dhe duart e saj, por ajo ka edhe në qafë, këmbë dhe madje edhe pas veshit.
Modelet e dukshme përfshijnë gjarprin në parakrahun e saj, tufën e zogjve në shpatull dhe tatuazhin “Free At Last” që përputhet me atë të babait të saj, Lenny Kravitz.
“Ka disa që më pëlqejnë më shumë se të tjerët,”– tha ajo. “I kam hequr disa, por kam në plan të bëj më shumë tatuazhe. Kur i filloni, është e vështirë të ndaleni.”
Aktorja e “Big Little Lies” dhe ambasadorja e markës “YSL” gjithashtu tregon disa nga mësimet e bukurisë që ka marrë nga babai i saj roker dhe nëna aktore, Lisa Bonet, gjatë intervistës në “InStyle”.
“Gjithmonë kanë qenë të kujdesshëm për shëndetin, përdorimin e produkteve organike, ushqimin e mirë, stërvitjen, të konsumuarit shumë ujë dhe gjumin e mjaftueshëm. Kur ndiheni mirë dhe trupi juaj është i lumtur, i shëndetshëm dhe i ekuilibruar, gjithashtu dhe lëkura duket më mirë,”- tha Kravitz.
“Kur nuk ndihemi mirë, lëkura jonë dehidratohet dhe fillojnë aknet; atëherë ne priremi të përdorim kozmetikë për t’i mbuluar dhe për t’i fshehur. Unë besoj se bukuria fillon me atë që është brenda dhe se si kujdesemi për veten,”– shtoi ajo.
Kravitz po merret me disa projekte të tjera për momentin, përfshirë drejtimin e filmit të saj të parë, “Pussy Land”, në të cilin luan Channing Tatum.