Aktori shqiptar që ngjason me Jason Statham, thotë se njerëzit e ndalojnë në rrugë duke i kërkuar autografe dhe fotografi
Besnik Tafallari është aktori shqiptar me origjinë nga Prizreni, i cili jeton dhe vepron në Gjermani.
Ai së fundmi u bë pjesë e filmit shqiptar të zhanrit komedi “Policë për kokë”, ku iu besua një nga rolet dytësore të këtij projekti kinematografik.
Më shumë se sa për profesionin e tij, Besniku njihet për ngjashmërinë e madhe që ka në dukje me aktorin e famshëm të Hollywoodit, Jason Statham.
Vite më parë, Telegrafi kishte realizuar një intervistë të tij dhe mikut të tij Max Fraisl, i cili cilësohet si sozia e aktorit Daniel Craig.
E teksa ndodhej së fundmi në Prishtinë për premierën e filmit “Policë për kokë”, shqiptari i cilësuar si sozia e Jason Statham, nuk hezitoi që për Telegrafin të tregonte se si njerëzit ende vazhdojnë ta ngatërrojnë atë me aktorin hollivudian kur e shohin në rrugë ose diku.
“Kam qenë për pushime në Tajlandë dhe kur më kanë parë, të gjithë kanë menduar se Jason Statham ndodhet atje. Kam bërë fotografi dhe njerëzit janë të kënaqur, sepse shumica prej tyre nuk kanë fatin të bëjnë fotografi me Jason Statham edhe e shfrytëzojnë rastin të bëjnë fotografi me sozinë”, tha Besnik Tafallari për Telegrafin.
Por edhe pse i ngjan skajshmërisht, prezrenasi thotë se nuk ka pasur deri më tani kurrë mundësinë në jetën e tij që të takohet nga afër me aktorin hollivudian.
“Jo, ende nuk e kam takuar”, u përgjigj ai kur u pyet nga Telegrafi për këtë çështje.
Besniku përndryshe në “Policë për kokë” i është besuar një nga rolet negative, përkatësisht ai i truprojes së politikanit të përfshirë në trafikun e drogës. /Telegrafi/