Aktori i njohur shqiptar humb jetën nga Covid-19
Është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare. aktori i madh i teatrit dhe estradës së Fierit, Fatmir Xhelili për shkak të Covid-19. Prej disa ditësh ai ka qenë në intubim dhe nuk ka mundur ta fitojë betejën me koronavirusin.
Një nga simbolet e artit dhe kulturës fierake, Xhelili ka qenë aktor në teatrin “Bylis” për 46 vjet rresht, duke interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si Fuat Boçi, Luftar Paja apo Hajrie Rondo.
Ai e nisi rrugën e artit si aktor amator, teksa punonte si elektricist në uzinën e naftës në Ballsh, ndërsa pas pune angazhohej në teatër. Interpretimi me mjeshtëri i roleve që merrte, e bënë Fatmirin një figurë të dashur për publikun. Me gjithë dëshirën për të interpretuar në dramë, pjesën më të madhe të karrierës ai ja kushtoi komedisë.
Fatmir Xhelili ka interpretuar gjatë karrierës së tij rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me 4 çmime të para si aktori më i mirë. Disa nga komeditë që ai ka interpretuar rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Chehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit 15” etj. Gjithashtu edhe në dramat “Pazari”, “Vite të paharruara”, “Fqinjët”, disa prej të cilave me regji të Serafin Fankos, Dhimitër Orgockës dhe Gëzim Kamës, Po ashtu ai ka luajtur edhe në disa filma të njohur.
/News31