Aktorët po urrejnë Laert Vasilin/ Alfred Trebicka: “Vetëm ky qurrash është për shembjen e teatrit”
“Unë kam 20 vjet në skenat e Europës. Nëse nuk e do përvojën time në skenat e Europës, po të duash flasim për… balonë tauke balonë tabake” me këto fjalë iu përgjigj aktori Laert Vasili reagimeve të kolegëve të tij, kur ai shprehu hapur bindjen se godina e Teatrit Kombëtar, të cilën e quajti një kapanon, duhej shembur. Një ditë më pas, Alfred Trebicka e ka quajtur një “qurrash” atë që sipas tij është i vetmi aktor që ka dalë hapur pro shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Pa ia përmendur emrin, Trebicka ka qenë i ftuar në emisionin “Ditë e re” në Ora News, kur ka thënë: “Pro shembjes së godinës vetëm 1 aktor ka dalë hapur “Unë jam pro shembjes”. Kjo pjesa tjetër që janë për teatër të ri, edhe Fred Trebicka është për teatër të ri. Mos të na tregojnë çudira këta që kanë punuar nëpër gjithë teatrot e Evropës dhe erdhën tani që ti tregojnë Tiranës apo Shqipërisë sesi bëhet teatri. Na tregojnë çudira këta sesi një teatër i ri do të ishte dinjitet, nuk e dimë ne këtë, që ky teatër i ri me të gjitha kushtet komode, bashkëkohore është në të mirën e teatrit. Dhe ne nuk e dinim këtë, shyqyr që erdhën këta qurrashët dhe na e treguan. Për teatër të ri janë të gjithë aktorët, i gjithë komuniteti teatror. Por problemi këtu është se po luhet, po manipulohet me preferenca apo me qëndrime, ti je për këtë, ai është për atë. Është diskutuar vazhdimisht gjatë këtyre ditëve se komuniteti i artistëve është i përçarë, është i ndarë. Në komunitetin e artistëve në mënyrë shumë të arsyeshme ka diversitet. Dhe marrëdhëniet që janë brenda aktorëve po përpiqen t’i manipulojnë sepse është pjesë e së tërës. Siç është degraduar ndërtesa, degradohet komuniteti e pastaj vijmë tek individi, siç ishte rasti i fundit me zotin drejtor që po përpiqet të denigrojë disa figura që janë të padenigrueshme”, citohet nga Lapsi.al.