Aktorët e filmit “Romeo dhe Zhuljeta” padisin Paramount Pictures, kërkojnë një dëmshpërblim prej 500 milionë dollarësh

Dy yjet e filmit “Romeo dhe Zhuljeta” të Franco Zeffirelli-t, i prodhuar në vitin 1968 kanë paditur “Paramount Pictures” dhe kanë kërkuar më shumë se 500 milionë dollarë për një skenë nudo në filmin e xhiruar kur ata ishin adoleshentë.

Olivia Hussey dhe Leonard Whiting , atëherë në moshën 15 dhe 16 vjeç dhe tani përkatësisht 71 dhe 72 vjeç, ngritën një padi në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Los Anxhelosit duke pretenduar abuzim seksual, ngacmim seksual dhe mashtrim.

Regjisori Franco Zeffirelli, i cili vdiq në vitin 2019, thuhet se fillimisht u tha të dyve se do të vishnin të brendshme me ngjyrë mishi në skenën e dhomës së gjumit, por në mëngjesin e xhirimeve, Zeffirelli u tha dy aktorëve se do të vishnin vetëm grim në trup, ndërsa siguroi ata që kamera do të vendosej në mënyrë që të mos shfaqte lakuriqësi.

Sipas padisë, Zeffirelli u tha aktorëve se në të kundërt filmi do të ishte një fiasko dhe se ata do kishin pasoja në rrugën e tyre të aktrimit. Sipas asaj që del në padi, të dy kanë pësuar dëmtime emocionale dhe ankth dhe kanë kërkuar dëmshpërblim prej më shumë se 500 milionë dollarësh.