Aksidenti tragjik në familjen shqiptare/ Mediat italiane rrëqethin me detajet
Mediat italiane i kanë kushtuar disa artikuj tragjedisë që pllakosi në një familje shqiptare nga Durrësi e cila jetonte prej vitesh në Itali.
Çifti i bashkëshortëve, Ardian dhe Anjeza Hyseni humbë tre fëmijët e tyre dhe nipin e mitur vetëm 2 vjeçar.
Viktimat janë ende në një dhomë në morgun Coviolo. Aty prehen Shane, 22 vjeçe, me djalin Mattias, 2 vjeç, djali i vogël Resati, 11 vjeç dhe Rejana, 8 vjeçe.
Ata humbën jetën në aksidentin e frikshëm mbrëmjen e 30 Tetorit, kur makina që drejtohej nga bashkëshorti i 22-vjeçares, Orjol Lame, doli nga rruga dhe u përplas me një shtëpi të pabanuar. I vetmi i mbijetuar nga kjo tragjedi është Lame, i cili ndodhet në gjendje kritike në spital.
Jashtë morgut shkruajnë mediat italiane ndodhen të afërm të familjes Hyseni. Ata janë mbledhur rreth Anjezës, për ta ngushëlluar, qetësuar.
Por sipas mediave ajo dëgjohet vetëm të bërtasë në shqip: “Nuk dua të jetoj më kështu…”, thotë ajo.
Të martën në mëngjes kërkoi me çdo kusht që të ishte në morg, për të parë për herë të fundit fëmijët. Por ajo nuk mund të qëndrojë dot në këmbë.
Il Resto del Carlino, shkruan se britmat e Anjeza Hysenit dëgjohen në të gjithë morgun.
Trupat e pajetë do të qëndrojnë në Coviolo deri në nisjen për në Durrës.
Ardiani dhe Anjeza kanë vendosur t’i varrosin fëmijët dhe nipin në vendlindje, sipas riteve islame.
Fluturimi për riatdhesim, me ndihmën e ambasadës shqiptare, pritet të realizohet në mbrëmjen e të martës ose të mërkurën.