Aksidenti tragjik ku u shua familja me katër anëtarë, shpëton mrekullisht 3-vjeçarja. Ja dëshmia e gruas që shkoi e para në vendin e ngjarjes
ELVIS HILA/ Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Milot- Rrëshen, ku si pasojë kanë humbur jetën katër pjesëtarë të një familjeje nga Kosova.
Sipas informacioneve paraprake të përcjella nga Policia e Lezhës, mësohet se ngjarja ndodhi rreth orës 19:30, në afërsi të një karburanti në Rrëshen.
Mjeti tip “Citroen”, me të cilin udhëtonte familja kosovare, është përplasur me mjetin tip kamion me drejtues shtetasin I. I., banues në Kosovë. Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit tip “Citroen”, bashkëshortja e tij dhe 2 fëmijët.
Ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë fëmija 3-vjeçar i çiftit nga Kosova, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë e po merr mjekim të specializuar. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.
VIKTIMAT
Sipas burimeve nga Policia, viktimë të këtij aksidenti kanë mbetur shtetasit: Anjeza Avdiaj, 34 vjeç; Blerim Avdiaj, 45 vjeç; Klejdi Koci (nipi), 11 vjeç, dhe Medina Avdiaj, 5 vjeçe.
Ndërsa në Spitalin e Traumës po merr mjekim vajza 3-vjeçare e familjes Avdiaj, Violeta Avdiaj.
Katër viktima mësohet se kanë gjetur vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.
Dyshohet se automjeti ku udhëtonin familja Avdiaj ishte duke udhëtuar nga Kosova në drejtim të Milotit, ndërsa kamioni udhëtonte në drejtim të Kukësit.
Shkak për këtë ngjarje dyshohet të ketë qenë një tentativë parakalimi nga ana e 45-vjeçarit Blerim Avdiaj, ndërsa në ato momente udhëtonte me shpejtësi. Po ashtu, dëmtime të lehta ka marrë edhe drejtuesi i kamionit, Isa Ishala, gjithashtu banues në Kosovë.
Ndërkohë, një dëshmitare në vendin e ngjarjes ka treguar se momentin kur ka ndodhur aksidenti ka dëgjuar një zhurmë të madhe nga lokali ku qëndronte, nga ka dalë menjëherë të shihte çfarë po ndodhte.
Sipas saj, ka shkuar t’u japë ndihmën e parë, por katër personat i ka gjetur të vdekur. Bashkë me disa persona të tjerë ka arritur të nxjerrë nga makina fëmijën 3 vjeç dhe e kanë dërguar me një tjetër makinë drejt Spitalit të Rrëshenit.