Aksidenti tragjik, këta janë turistët italianë që humbën jetën në Sarandë
Personat që shihni në këtë foto janë Domenico Gritto dhe Vicenzo Tizziano, dy shtetasit italianë që erdhën me pushime në Shqipëri, por humbën jetën për shkak të një aksidenti. Fotot e tyre i kanë publikuar mediat italiane teksa raportojnë për aksidentin tragjik që iu mori jetën në rrugën Ksamil-Sarandë.
Dy italianët udhëtonin me një motor, i cili u përplas nga një automjet me të cilin udhëtonte 17-vjeçari Elio Rraku bashkë me një person tjetër. Për ngjarjen e rëndë, policia arrestoi shoferin e makinës. Rraku akuzohet për dy vepra penale, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimi i automjeteve ne menyre te parregullt.
Pas ngjarjes së rëndë Policia e Shtetit pezulloi shefin e rrugores në Sarandë dhe nisi një hetim administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik.
Policia njoftoi se “rreth orës 3:00 të datës 24.08.2023, në aksin rrugor Sarandë-Ksamil, në vendin e quajtur “Hidrovor”, automjeti “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. R., 17 vjeç, është përplasur me një motomjet tip “Honda”. Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën, shtetasi italian Domenico Gritto., 24 vjeç dhe Vicenzo Tizziano, që udhëtonin me motomjetin tip “Honda”. Drejtuesi i automjetit, shtetasi E. R. është dërguar në spital, bashkë me shtetasin M. R., pasagjer në automjet. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”