Aksidenti ajror që zhduku “dasmorët” e Mbretit Zog dhe pajën e Geraldinës
Publikohet historia e panjohur të katastrofës ajrore të 1 majit 1938, kur avioni i linjës Tiranë-Brindizi-Romë, u rrëzua në afërsi të maleve të Formia-s (Maranola-s)në Itali, ku humbën jetën 19 persona, midis të cilëve dhe ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Itali, Xhaferr Vila, shefi i misionit arkeologjik italian në Shqipëri, Piero Marconi, gazetari i famshëm gjerman, Othuar Krainz, dhe mjaft shtetas të tjerë të huaj, anglezë, amerikanë, gjermanë, grekë etj.
Por gjithashtu në këtë aksident ajror “u varrosën” përfundimisht edhe dhuratat dhe bizhuteritë e famshme të Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Geraldina Appony të sapomartuar, të cilat familjes mbretërore shqiptare, me urdhër të Zog-ut, u vendosën të ktheheshin mbrapsht nga Tirana drejt Italisë, Austrisë dhe Francës, ku më pas do të ambalazhoheshin sërisht në magazinat dhe dyqanet e firmave më të shtrenjta dhe më prestigjoze të kohës.
Plot 85 vjet më parë, më 30 prill 1938, një avion i linjës ajrore Tiranë-Brindizi-Romë, në bordin e të cilit ishin imbarkuar si pasagjerë një sërë personalitetesh të larta shqiptarë dhe të huaj, teksa kishte lënë pas hapësirën mbi detin Adriatik dhe ishte ulur në Brindizi, gjatë udhëtimit për në Romë, u rrëzua në afërsi të maleve të Formias.
Në këtë katastrofë ajrore nga më të rëndat të ndodhura deri më sot në të gjithë historinë e aviacionit civil shqiptaro-italian, nga një sërë burimesh të kohës, bëhej me dije, se përveç udhëtarëve VIP, “u varrosën” edhe dhuratat e bizhuteritë e famshme të martesës së Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Geraldina Appony të sapomartuar.
Sipas mjaft dëshmive burimore të kohës, këto veshje dhe bizhuteri të familjes mbretërore shqiptare, me urdhër të Mbretit, Zog-ut të Parë, u vendosën të transportoheshin drejt Tiranës nga Italia, Austria, dhe Franca dhe ku më pas do të ktheheshin dhe ambalazhoheshin sërish në magazinat e dyqanet e firmave më të shtrenjta dhe më prestigjioze të kohës si; ‘Chanel’, ‘Caraceni’, ‘Bulgari’, etj.
Vetë mediat amerikane dhe italiane, të kohës e cilësojnë aksidentin ajror të Maranola-s, si një ndër më tragjikët, për vetë faktin se dhuratat e çmuara të dasmës së shumëpërfolur mbretërore, së bashku me disa nga personalitetet më të shquar të kohës, si ambasadori shqiptar në Itali, Xhaferr Vila, arkeologu i mirënjohur italian Piero Marconi dhe korrespondentja amerikane e “Newsweek”-ut për Ballkanin, Helen Lindhheim, nuk do të mbërrinin kurrë në destinacionin përkatës…?!
Më poshtë në këtë shkrim po japim disa pjesë nga gazetat shqiptare dhe të huaja që komentuan gjatë atë katastrofë ajrore.
Lajmi i pasqyruar në të përjavshmen amerikane “Newsweek”
“SHQIPËRIA: KËNAQËSI DHE DËSHPËRIM. FATKEQËSIA AJRORE SHËNON MARTESËN E ZOGUT ME GERALDINËN”
Abdikimi i Eduartit të V në dhjetor të vitit 1936, e la Mbretin Zog të I të shqiptarëve si beqarin e vetëm në Europë… Shqipëria festoi javën e shkuar me festime 3-ditore martesën e Mbretit Mysliman me Konteshën hungareze Katolike Appony. Dhuratat e Zogut për Mbretëreshën e tij, një kurorë diamantesh vendosur mbi kurorën shqiptare, një byzylyk, një varëse, u zgjodhën nga bizhuteritë e dërguara në Tiranë nga firmat e Parisit dhe Vjenës. Të shtunën, ai vendosi t’i kthente bizhuteritë që nuk i bleu, me vlerë 1.052.000 dollarësh me një avion. Avioni u përfshi nga furtuna dhe u përplas në Malin Maranola të Apenineve. Barinjtë gjetën trupat e 19 pasagjerëve, por pak gjurmë të bizhuterive. Diamantët dhe gurët e tjerë të çmuar u dogjën, platini dhe floriri u shkrinë. (Kthimi ishte i siguruar). Midis pasagjerëve fatkeqë ishte dhe ambasadori shqiptar në Itali, arkeologë të shquar, dhe korrespondentja amerikane, zonja Helen Lindheim.
Lajmi i pasqyruar në prestigjiozen “Corriere della Sera”
“GJ AK, HARTA ARKEOLOGJIKE DHE VESHJE TË SHTRENJTA NË HUMNERAT E MARANOLA-S SË FORMIA-S”
Sot në paraditen e 30 prillit, një tragjedi e rëndë ajrore u shënua në Italinë Qendrore në masivin e Apenineve të Maranola-s. Avioni i Meda S.73 i Ala Littoria-s që midis pasagjerëve të rëndësishëm, transportonte edhe hartën arkeologjike të Shqipërisë si dhe dhuratat luksoze të dasmës së Mbretit Zog I të shqiptarëve befas u përplas në masivin shkëmbor të Maranola-s (Formia) duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të të gjithë pasagjerëve. Hollësira të tjera nuk dihen. Në orët në vijim do të bëhen publike dhe fakte të tjera.
Tragjedia ajrore që “varrosi” hartën arkeologjike te Shqipërisë
Fatkeqësisht, tragjedi të tjera e kanë “nxirë” këtë udhë ajrore, por ndër më të rëndat shënohet ajo e 30 prillit të vitit 1938, kur avioni i linjës Tiranë-Brindizi-Romë, në bordin e të cilit, së bashku me ekuipazhin, udhëtonin plot 19 persona, u përplas me shkëmbinjtë dhe u rrëzua në afërsi të maleve të Formia-s, diku në mes të Napolit dhe Romës. Ndërmjet atyre personave që mbetën viktima të asaj katastrofe ajrore ishte dhe ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Itali, Xhaferr Vila, shefi i misionit arkeologjik italian në Shqipëri, profesor, Piero Marconi, gazetari i famshëm gjerman, Othuar Krainz, si dhe disa shtetas të tjerë të huaj, italianë, amerikanë, grekë, gjermanë etj. Por bashkë me humbjen e këtyre jetëve njerëzore, në atë aksident tragjik ndodhi edhe një katastrofë tjetër, ndoshta edhe më e madhe. Aty humbi dhe u “varros” përgjithmonë edhe harta arkeologjike e Shqipërisë, një pasuri e paçmueshme dhe e papërsëritshme, për të cilin profesori i famshëm italian kishte punuar për më shumë se një dekadë me radhë në vendin tonë.
Përveç dr. Aleksandër Meksit, (ish-kryeministër i Shqipërisë në vitet 1992-1997), njërit prej arkeologëve dhe studiuesve më të njohur që ka punuar për vite me radhë pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, si dhe disa specialistëve të tjerë të njohur të arkeologjisë shqiptare, ajo gjë bëhet e ditur edhe nga një letër, që vetë Marconi, ia kishte dërguar pak ditë më parë një mikut të tij italian, ku e njoftonte për një zbulim të ri arkeologjik që kishte bërë në Shqipëri. Po si ndodhi katastrofa, në ç’kushte teknike ishte avioni i linjës Tiranë-Romë, përpara atij udhëtimi që mbeti dhe i fundit për të, në çfarë kushtesh atmosferike udhëtonte ai atë ditë, cilët ishin personat e tjerë që humbën jetën në atë tragjedi ajrore, si u përcoll ajo ngjarje e rëndë nga shteti shqiptar në atë kohë dhe qeveria italiane? Lidhur me këto, na njohin disa artikuj që i kemi shkëputur nga shtypi shqiptar i asaj kohe, i cili e pasqyroi gjerësisht atë ngjarje të hidhur, si dhe një editorial i shkruar nga Sterjo Spasse, ish-shkrimtari i njohur (i periudhës së realizmit socialist), i cili në vitet e Monarkisë së Zogut punonte si gazetar.
Lajmet e pasqyruara në gazetën “ARBNIA”
Një fatkeqësi e papritur aerore në Itali shkaktoi 19 viktima njerzore. Midis tyre Ministri Xhafer Vila dhe shum miq të çmuar të vendit t’onë.
Si vetëtima u përhap në Tiranë qysh të Dielë në mesditë, lajm i hidhur, se Trimotori “I Meda” S.73 i Ala Littoria-s, që u nis prej aerodromit të Tiranës të Shtunë në mëngjez dhe i cili mrriti me kohë në Brindizi, i nisur prej atij qyteti në Romë, u shduk udhës. Trimotori që shërbente udhën e zakonshme postale aerore Tiranë-Brindizi-Romë, shpinte kësaj here me vehte Ministrin t’onë Xhafer Villa, shefin e Misjonit Arkeologik Italian në Shqipëri, Profesor Piero Marconi; Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Romë, Ermengildo Pugni; Sekretarin e Fashios së Durrësit, Giuseppe Crisulo, gazetarin e mirënjohur gjerman, Othmar Krainz dhe të tjerë udhëtarë. Aeropllani duheshe të mërrinte qysh të Shtunën pasdite në Romë, por s’dukesh kurrkund. Ishte e sigurtë pra, se do të kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi. Mas nisjes së Trimotorit nga Brindizi, moti ishte prishur dhe nje mjegull e dendur kishte mbuluar malet mbi te cilat do te fluturonte “I-Meda”. Gjatë mbasdite së Dielës, deri vone natën, e gjithë Tirana jetoi çaste plot dhimbje shpirtnore, duke pritur e duke gjyrmuar lajmet telegrafike sa më të hidhura që vinin prej Rome. Vonë natën u njoftua se Trimotori u gjend i dërrmuar në malet afër Formia-s dhe se të 14 udhëtarët bashkë me të 5 vetat e ekuipazhit, gjithsej 19 shpirt, midis të cilëve edhe Ministri Vila u gjetën të vdekur dhe të karbonizuar”.
Si ngjau katastrofa?
Trimotori fluturoj nga Brindizi për në Romë duke qenë plotësisht në rregull nga ç’do pikëpamje. Pilotët e avionit, nga më të shprovuarit aviatorë italianë, avioni, një aparat perfekt, nga materiali më i mirë. Ndonëse koha pra kish filluar të prishej, avioni u nis dhe do ta përfundonte me sukses udhëtimin, po të mos ngjiste një fatalitet i keq, fatalitet nga ata që qëndrojnë përsipër fuqive dhe paravështrimeve të njeriut. Midis Napolit dhe Romës, avioni hasi në udhë një kohë shumë të keqe edhe mjegull të dëndur. 120 km. lark Romës, në malet afër Formia-s nga shkaku i mjegullit të dëndur, avioni u përpoq me një majë mali u dërmua dhe u rrokullis. Në kohën e përpjekjes me shkëmbin, avioni u ndes. Nga shkaku i mjegullit askush nuk e kish parë katastrofën dhe as avionin duke fluturuar përmi ato vende. Shumë kohë më vonë disa barinj që kalonin andej, zbuluan mbeturinat e avionit dhe lajmëruan menjëhërë autoritetet më të afërme. Të 19 udhëtarët u gjetën të gjithë të vdekur dhe pjesërisht të karbonizuar, aq sa me zor u bë identifikimi i tyre.
Lajme telegrafike mbi katastrofën
Këtu po botojmë telegramet që na erdhën prej Romës në lidhje me ketë katastrofë aq të dhimbshme
Romë 1. (Ora 20.00).
Nuk ka qenë ende e mundun deri tani të merret as ma e vogla informatë rreth fatit t’aeroplanit që siguronte shërbimin e vijës Tiranë-Romë dhe që u prit më kot mbramë n’aeroportin e Littorias. Por, që, tani duket e sigurtë se aeroplani mbi të cilin gjindeshin 19 veta, ka pësue një aksident të randë ndërmjet Brindizit dhe Romës, sepse nuk asht mësue as sot mbasdreke asgja mbi fatin e Ministrit të Shqipnisë në Romë, Xhafer Vila, që ndodhej n’atë aeroplan. Shërbimi kompetent nuk jep asnjë informatë rreth kësaj çashtje. Lajmi qarkullon se në aeroplan gjindeshin disa gazetarë italianë dhe të huaj.
Romë, 1 (20.10).
Në Legatën e Shqipnis mësohet se Xhafer Vila, ministër i Shqipnis në Romë, ka gjetur vdekjen n’aksidentin e ndodhun aeroplanit të vijës Tiranë-Romë, ndër rrethe të Napolit.
Romë, 1 (20.30)
Aeroplani i vijës Tiranë-Romë ka ra, në rrethana ende që nuk dihen, në luginën e Maranolas, fshat i vogël katër km. nga Formia, midis Romës dhe Napolit dhe ka marrë menjëherë zjarr. Pesë veta t’ekuipazhit dhe 14 udhëtarë kanë gjetun vdekjen. Trupat e karbonizuem të viktimave u mbartën në Shtëpinë e Fashios së Maranolas ku janë mbikqyrun prej fashistash. Mbeturinat e aeroplanit u gjetëm vetëm sot mbasdreke. Midis viktimave numërohen; katër udhëtarë gjermanë, një ingliz, një amerikan, Ministri i Shqipnis në Romë, Xhafer Vila, një grek dhe një qytetar i qytetit të lirë të Dantzigut.
Romë, 1 (21.00)
Simbas informatave të para, t’ardhuna në Romë, aksidenti i vijës Tiranë-Romë ka qenë shkaktue nga mjegulla. Aeroplani që ishte nisun në orën 11.30 u përpoq me një qip mali në një zonë të parrahur, që gjindet jo shumë larg nga Formia, dhe mori zjarr. Disa barinj i gjetnë, ma të parët, aty afër orës 15, mbeturinat e aeroplanit dhe trupat e karbonizuam të viktimave. Ata vajtën menjeherë në kambë na Maranola, katund ma i afërm, prej ku lajmi u dërgua në Formia. Trupat e viktimave u mbartnë sot mbasdreke në varrezat e Maranolas. Një kortezh personalitetesh aeronautikë të ardhur nga Roma, dhe banorët e krahinës e pasuen karvanin e përmortëshëm. Pritën vendimet e familjeve për dispozimin e funeralit.
Romë, 1 (21.25)
Aeroplani që u shënue i humbun midis vijës Tiranë-Romë, ka ndeshë afër orës 13 majën e një mali afër Formia-s, ka marr zjarr dhe asht rrëzue për tokë. Disa barinj i kanë gjetun mbeturinat dhe kanë informue auktoritetet. Aeroplani asht një Trimotor i Shoqnis italiane “Ala Littoria”. Kishte mbrendë ministrin e Shqipnis në Romë, Xhafer Vilën, tetë udhëtarë të tjerë të huej, pesë italianë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit, kanë gjetun të gjithë vdekjen. Viktimat janë të cungueme në një mënyrë të tmerrshme dhe janë karbonizuar krejt, sa që është e pamundur t’identifikohen. Besohet se midis tyre gjindet edhe një gjerman. Kufomat janë vu në arkivola dhe janë dërgu në Shtëpinë e Fashios së Maranolas ku milicë fashista mbajnë roje. Ma vonë viktimat u suellnë në kapelën e varrezave. Drejtori i Përgjithshëm i Shoqnios “Ala Littoria”, z. Klinger, dhe gjeneral Pellegrini, i Departamentit t’Avjasionit civil në Ministrinë e Ajrit, i prinin kufomve. Besohet se aeroplani ka qenë i goditun prej rrufesë.
Romë, 1. (23.00)
Komunikata e botueme rreth katastrofës ajrore, që i ngjau aeroplanit të vijës Brindizi-Romë, jep emrat e anëtarëve të ekuipazhit dhe të udhëtarëve të karbonizuam: kryepiloti Muller, piloti i dytë, Magri, radiotelegrafisti, Mariani, mekaniku, Meluzzi, mekaniku i dytë, Tait, Ministri i Shqipnisë në Romë, Xhafer Vila, Marconi Piero, Armando Pacifici, Salvatore Chizari, Domeniko Morelli, Ermengildo Pugni, Giusepe Crisuolo, Othmar Krainz, Walter Krapke, Yacob Fridrich Ballscmeich, Karl Grotznek, Samuel Brostaff, Helene Lindheim (amerikane), Ema Geroge Haydakail (greke).
Ngushllime për humbjen e Ministrit, Villa
Dje gjith ditën, shtëpia e familjes Villa në Tiranë ka qenë vend pelegrinazhi. Personalitete dhe njerëz të popullit vajtën për t’i paraqitur familjes ngushëllime të thella për fatkeqin e madhe dhe të papritur që e goditi. Me të vërtetë, Ministri Villa, gëzonte një simpati dhe një konsideratë të posaçme. Mësojmë se dëshira e familjes është që trupi i pashpirt i Ministrit Villa të sillet e të varroset në atdhe. Dje në mëngjez familja Villa mori një telegram ngushëllimi, me shprehje shumë të dhimbshme, të nënshkruar prej Shk. Tij Kontit Ciano, Ministër i Punëve të Jashtëme të Italis. Gjithashtu dje në mëngjez, Shk. Tij, Jacomoni vizitoj Ministrinë t’onë të Punëve të Jashtme, Shk. e Tij, Eqrem Libohova duke i shprehur ngushëllimet në emër të Qeverisë Fashiste për humbjen e Ministrit Villa.
Pierro Marconi dhe Othuar Krainz
Midis viktimave të katastrofës aerore ndodhet Shef i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, shkencëtari i shquar Pierro Marconi. I Ndyeri u mbarkua në avion nga Brindizi. Më datë 29 Prill i ka shkruar një letër kolegut t’onë z. Lorusso Atoma-ndoshta letra e tij e fundit,- e cila sot mbërriti në Tiranë. Atje i kallzon për një zbulim të ri që pat bërë në Shqipëri dhe thotë se po shkon në Itali vetëm për disa ditë. Ndërmjet viktimave ka qenë edhe kolegu ynë i çquar gjerman, Othmar Krainz, shkrimtar i stërhollë plot talent, mik i dëshmuar i vendit t’onë. I ndyeri jetonte në Berlin dhe bashkëpunonte në një sasi fletoresh të dorës së parë si “Essener Nationalzeitung”, “Der Mitteldeutchee”, “Volkischer Beobachter”, “Der Angliff”, “Der Hamer” etj. Në kohën e Luftës së Madhe fitoj më shumë dekorata për trimërin e tij. Ka qenëe anëtar i NSDAP. Ka botuar një sasi librash e studimesh të vlefshme. Ka udhëtuar gjysmën e botës. Ka shkruar përmbi 20 artikuj të bukur mi Shqipërinë dhe në librin e tij “Krena të politikës botnore” i ka kushtuar një kapitull të posaçmë N.M Tij Mbretit Zog i I.
Korespodencë e posaçme nga Roma
Romë,-Vdekja e ministrit Xhafer bei Villa në katastrofën ajrore afër Formia-s ka prodhue një përshtypje të thellë ndër qarqe diplomatike dhe ndër sfera zyrtare të Romës. Ministri i Jashtëm i Italis, Konti Ciano, posa u informue për fatkeqin, dërgoi përdhimbtimet e veta. Legata e Shqipnis u sulmue me telefonime nga ana e trupit diplomatik që nuk mund t’a besonte fatkeqësinë dhe kërkonte të ketë një përgënjeshtrim të lajmit të vajtueshëm. Një shumicë personalitetesh, miq të Shqipërisë dhe ata personalë të ministrit, i kanë shprehun keqardhjen zotit Vasfi Xhomos, i Ngarkuem me Punë i Shqipnis në Romë. Humbja e Ministrit Villa ndihet veçanërisht ndër qarqe zyrtare ku ai gëzonte një simpati të gjanë dhe çmohej për vlerën e tij si diplomat i hollë dhe mik i Italis. Në koloninë shqiptare ai len një kujtim të pashlyeshëm; hoborsija e tij, dashunija e tij, kishin fitue sipmathina të thella midis studentëve dhe kolonisë shqiptare të Romës të ndjerit ministër. Anketa vazhdon gjithnjë për të caktua shkaqet e katastrofës me gjithë se duket e vërtetueme që koha e keqe dhe mjegulla i kanë ndalue pilotët të shofin udhën. Asht mësue se n’aeroplan kanë qenë 20.000.000 franga xhevahire, të dorzueme nga një xhevairshitës i Parisit të “Rue de la Paix” të cilat duket se janë prish e kanë mbarue krejt. Në orët e fundit mësohet se kufoma e ministrit Villa do të mbartet në Bari për t’u sjellë në Shqipni. (Edda de Mistura)
Ngushëllimet e Cianos e të Gjen. Parianit për vdekjen e Villës
Në rastin e faktekqsis së humbjes së Zotit Xhaferr Villa, Shkëlqesia e Tij, Ministri i Punëve të Jashtëme të Shqipnis mori nga Shkëlqesitë e Tyne, Ministri i P. të Jashtëme të Italis, Zoti Galezao Ciano dhe nga Nënministri i Luftës, General Pariani telegramet që vijojnë: Shk. T, Eqrem Libohova. Ministër i P. të Jashtëme-Tiranë. Thellësisht i prekun nga fatkeqësia e madhe që i kushtoj jetën Shk. Tij Xhafer Villa, i çfaq Shkëlqesisë s’Uej ngushëllimet e mija e të Qeverisë Fashiste”. CIANO.
Shkëlqesisë Tij, Eqrem Libohova, Ministër i P. të jashtme-Tiranë. “Marr pjesë gjallësisht në humbjen e madhe që qëllojti Legatës së Romës për humbjen e randë të Ministrit Villa, dhe i lutem Ekselencës s’Uej të ketë mirësinë me pranue çfaqjet ma të ndjeshme të ngushëllimeve të mia të thella”. General PARIANi
Hollësirat e aksidentit ajror
Pas informatave të fundit, katastrofa që kushtoi humbjen e 19 vetave të çquar, duket se do të ketë ngjarë në këto rrethana. Midis Napolit s’ka mundur të ecë përpara veçse fare pak. Ora më 11,30 para mesdite avioni duheshe simbas rregullit të mërrinte në fushën e aerore të Littoria, afër Romës. Deri në ora 2,30 avioni ka luftuar me furtunën i rrethuar prej një mjegulle të dëndur. Duket se piloti, kur ka parë se kishin kaluar aq orë fluturimi, ka besuar se avioni i ka kapërcyer malet e nalta dhe se do të ndodhesh tani afër Romës. Nga shkaku i mjegullit nuk shifej kurrgjë. I rrejtur nga kjo pandehmë piloti do ta ketë ulur avionin ma poshtë se naltësia e majave t’atyne malevet. Në realitet, avioni, ndonëse kish fluturuar aq orë, kish përparuar fare pak dhe vazhdonte të ndodhej brenda rrethit të malevet. Në vazhdim të fluturimit, ky hasi shkëmbin e maj-malit mbi të cilin u përpoq.
Shtypi i kohës pasqyroi hollësisht të gjitha ceremonitë mortore
Sot vjen në atdhe, me kontratorpilin “Aquilone” trupi i pashpirt i Ministrit Xhafer Villa. (Hollësirat e fundit mi katastrofën)
Dje në mëngjez, kur Ministri i Italis në Tiranë, Shk. e Tij, Jacomoni ishte tuj u gatit të shkonte në Romë me avion, një depeshe (telegram, shënimi ynë), e ardhur nga Italia lajmëronte se trupi i pashpirt i të ndyerit Xhafer Villa mrin të mërkurën në mëngjez në Durrës mi kontratorpilorin “Aquilone”. Ky lajm i ndali hikjen e Ministrit Jacomoni, tuj qenë se Shk. e Tij dëshiron të asistoj në funeralet, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, kolegut të zhdukur. Gjithashtu dje në mëngjez u nisën prej Tirane në Durrës, për t’u mbarkuar s’andejmi për Bari, me qëllim që të përcjellin në atdhe kufomën e Ministrit Villa, z. Dhimitër Berati, Sekretar i P. i Ministris së Jashtme, dhe Felatun Villa, i biri i të ndyerit, bashkë me pjestarët e tjerë të familjes. Para se të nisej vapori, u lajmnuen prej Tirane për depeshen që ardhi nga Roma dhe u detyruan të kthehen prapë në kryeqytet. Kontratorpilori që sjell trupin e pashpirt të Ministrit, mërin në skelën e Durrësit sot në ora 8,30. Trupi i Xhafer Villës do të sillet masandaj në Tiranë, ku do të pritet me nderime. Në hyrjen e qytetit, në fund të Rrugës “Nana Mbretneshë” do të ndodhen prezentë për të pritur trupin e të ndjerit: Një kompani ushtarësh me Bandën Ushtarake; Trupi Ministruer; Trupi Diplomatik; Nënpunësit e Min, së Jashtëme dhe nënpunësit e tjerë të gjithë me veshje ceremonije. Kortezhi do të kalojë nëpër rrugën “Nana Mbretneshë” dhe “28 Nëntor” dhe do të ndalet në Xhaminë e Vjetër, ku do të zhvillohet ceremonia fetare dhe do të mbahet fjalimi i rastit. Pastaj trupi i pashpirt i Ministrit Villa do të shpihet e varroset në Teqenë e Bektashinjëvet.
Editoriali në gazetën “ARBNIA” i gazetarit dhe shkrimtarit të njohur, Sterjo Spasse
“Marconi ishte pionieri i arkeologjis sonë, pas Ugolinit”
Në aksidentin e fundit ajror që na hoqi aq njerëz të dashtun, mbeti dhe Prof Pirro Marconi, President i Akademisë së Arteve të Bukura të Napolit dhe një nga pionerët e zbulimeve arkeologjike në tokën t’onë pas të ndyerit Luixi Ugolini. I ndyeri ishte një burrë që ndosha nuk i kishte kaluar të dyzetepesat; duke shikue kështu, elegant në pikat e tija të errta, në sytë e thellë mendimtari të ambël, në fytyrën e tërhequn prej vizash fisnike artisti, nuk mund t’i jepshe as dyzet vjet; ne e kemi përpara fizonominë e tij zotnije që ia ka kushtue veten shkencës. Pierro Marconi kishte ardhur ndër ne për të ndërrue rojen që kishte lanë vakant predecesori i tij i paharrueshëm Luixhi Ugolini, i cili, gjatë kohës që qëndroi në Shqipni, dhe pikërisht ën Butrinto, arriti, në virtyt të një pune të randë dhe plot rreziqe, të na dhurojë neve dhe mbarë Europës, disa nga kryeveprat e fshehura ndën tokën shekullore dhe që dëshmojë katërcipërisht qytetnimin e përparuem të vendit t’onë. Përmbi çdo cilësi të lartë studiuesi dhe rrëmuesi i palodhur, Luixhi Ugolini gëzonte virtytin magjik të komunikimit shpirtnuer me tokën që aj zbulonte si mbajtës thesaresh ende të panjhuna, dhe atë të dashunis së thellë që ndiente për vendin t’onë të cilin zgjidh si atdhe të dytë shpirtnuer.
Duhet të dihet se asht thanë shumë dhe shkruejtun mir a keq rreth qytetnimit të moçëm, të vendit t’onë; ishin tregue prrallza dhe shkrue se ne ishim ma keq se sa jemi; në realitet, këta studiuesa që përdorin karficën për të shënue shkronjën e një libri të mykun, dhe jo shatin e fuqishëm të shekncës, për të pamë së afërmi se ç’ruen toka e jonë, këta studiuesa katër kacillash arritën, dhe nuk asht kurrë e tepërtë t’a përsërisim, të na tregojnë në sy të opinionit t’onë publik si një popull që ka tradita të papërshtatëshme me popujt ma të qytetnuem të botës. Luixhi Ugolini erdh ndër ne me dashunin e njaj apostulli pune; aj kishte gjeniun ma shumë se një shënim në tekset serioze mbi nji qytetnim dores së parë dhe nga më të ndritshmit që gëzojn popujt e mëdhenj të sotshëm të popullit t’onë. Dhe nuk përdori karfica por i ra tokës përmes, me dritën e një shikimi studiuesi të bindun se, nën dheun arbnor, dhe pikërisht në atë copë tokë të rrënueme prej urdhrit të tij të premë dhe plot dashamirësi kundrejt punëtorëve të krahut, gjindej nji fjalë dhe një vepër e motit që na tregonte ç’ka ishim dhe ç’ka jemi, e, domethanë, një popull që kishte lëshue fjalën e vet, jo vetëm në luftë, por edhe në punë ndërtuese, në punë qytetnuese. Kjo qe vepra e predecesorit të Pierro Marconit, i cili erth nder ne për të ndërrue rojen që i kishte lanë shoku i tij luftet shkencore, Luixhi Ugolini.
Piero Marconin e mbajme mend te gjithë dhe nuk mund ta harrojme kur na pershkruejti gjith vepren e shokut të tij Luixhi Ugolini dhe na vizitoi qëllimet e tija për se ai përkiste së ardhmes së zbulimeve, jo vetëm në pjesën e bukur të Butrintos, por edhe në atë krenare të Veriut të Shqipnis. Mbajmë mënd, se, ketu e pake kohe ma parë, Aj na foli në Kinema Nasional, mbi sa kishte vazhdue Aj vetë, pas veprës së ndritur të Ugolinit, dhe mbi qëllimet e tija të preme që ajo vepër të vazhdohej me një besnikëri të patundshme në sa kolegu pionier arti dhe shpirti kishte lanë pezull, sepse e zu mortja. Fjala e tij na pushtoi të gjithëve për atë vërvitmëni forme dhe studimi që ban të mbetesh i tretun në përfytyrime që i kalojnë kufijt e fakteve për t’u bamë një dëshir i zjarrtë. Me çdukjen e tij të idhët, Pierro Marconi, la ndër ne një kujtim andërror të pranis së tij vegimtare dhe luftëtari pune të parreshtun për hirë të triumfit të një faqe historije që na ban t’angrejmë lart kokën dhe të themi se jemi trashëgimtarë të njëj së shkuemje të bukur dhe krenare në histori. Pierro Marconi mbet, pranë Z. Xhafer Villës, pranë shokësh gazetarë dhe misionerë të njij drite botnore mbi Shqipninë dhe mbi gëzimin e saj. Ne përulemi përpara vdekjes së tij të parakohshme dhe e falenderojm botnisht, duke qenë të bindun se Ai na dëgjon”./(Gazeta “ARBNIA” 3 maj 1938)/Memorie.al