Ajsi Xhaxhaj: Ju rrëfej puthjet që shkëmbeva me regjisorin në filmin bazuar në histori të vërtetë dashurie
“Jeto ndryshe” titullohet filmi aksion, ku Ajsi Xhaxhaj i rikthehet sërish eksperiencës së aktores, disa vite pasi u bë e njohur si protagonistja kryesore e “Kripmjaltëzavve”. Kësaj here vjen me një histori romantike, si e dashura e Drilon Hoxhës, regjisorit të filmit të ri artistik, bazuar në një histori të vërtetë. Produksioni ka kaluar kufijtë shqiptarë në skenat e xhirimeve në Kosovë, Turqi, Itali, e të tjera vende të Evropës. Ajsi rrëfen për “Story” paskuintat e xhirimeve, ku luan edhe Shpat Kasapi.
Si po e përjeton rolin në filmin e ri “Jeto ndryshe”, xhirimet e të cilit po realizohen në disa vende?
Të them të drejtën kemi disa javë që po punojmë intensivisht, edhe pse është pak e vështirë, sepse jemi kast aktorësh nga Kosova dhe Maqedonia, e na duhet të rakordojmë oraret. E them këtë, sepse përveç rolit që kam në film, jam pjesë dhe e xhirimeve ku bëj pjesë jashtë kamerave. Në një farë mënyre mund të quhem ndihmëse e regjisorit Drilon Hoxha. Kjo për shkak se edhe në skenar kam dhuruar nga ana ime. Po ashtu dhe producenti Dashnor Asllani nga Kosova po mundohet shumë që filmi të dalë në nivelin e duhur, për të konkurruar dhe në festivalet e filmave jashtë vendit.
Në fotot që keni postuar ti dhe regjisori Drilon Hoxha, dukeni shumë intimë me njëri-tjetrin. Ka diçka që po zhvillohet në paskuinta?
Më vjen mirë që e keni vënë re dhe nga fotot e publikuara me Drilonin, ku shihemi shumë pranë njeri-tjetrit, aq sa dhe publiku që i sheh keqkuptohet, duke krijuar një lidhje imagjinare për ne të dy. Nuk ndjej ndonjëfarë irritimi për këtë gjë, sepse nëse të tjerët e mendojnë këtë duke e keqkuptuar, ne kemi shënuar gol në lojën tonë të aktrimit vetëm nëpërmjet fotove. Imagjinoni të shihni videon!
Në ç’kuptim ke dhënë nga vetja në skenarin e filmit, çfarë ke përfshirë nga ekperincat e tua personale në filmin bazuar në një histori të vërtetë?
Jam si një editore skenari artistikisht, pasi kemi shkruar së bashku skenarin, pasi Driloni ka qenë i hapur për t’i dhënë ide.
Cilat janë pritshmëritë e tua për premierën e filmit ku ti je protagonistja femër?
Jam entuziaste, sepse e di që kur të dalë premiera e filmit, publiku do të çohet në këmbë të duartrokasë çdo aktor. Të duartrokasë Dashnorin për kujdesin e veçantë, Drilonin për idenë e mrekullueshme dhe për shtimin e elementeve jo reale në ngjarje, duke qenë se ngjarja është bazuar në një ndodhi të vërtetë. Pra do të jetë një sukses për të gjithë. Madje një sukses dhe për rifillimin e karrierës sime si aktore, dhe me një rol të lakmuar nga shumë vajza.
Deri ku thelloheni në romanticitetin me Drilonin, do të ketë skena erotike në film?
Filmi do të shihet nga çdo lloj audience, përfshirë edhe fëmijët. Jemi kujdesur që të jemi korrekt, sigurisht që Driloni është kujdesur edhe për kërkesat e mia. Në film nuk do të ketë skena erotike, por sigurisht që ndonjë puthje do e japim. Këtë bëjnë të rinjtë e dashuruar apo jo? (Qesh)
Është e thjeshtë të jesh aktore në Shqipëri, deri ku mund të guxosh pa u keqkuptuar?
Mbi të gjitha kemi statusin aktor, dhe nuk duhet të kemi komplekse. Unë vetë kujdesem dhe për ambientin ku qëndroj, si dhe respektoj familjarët e mi, edhe pse ata janë gjithmonë për të më mbështetur në çdo vendim dhe hap që ndërmarr. Por mendoj se puthja nuk do të lëndonte askënd. Ndaj kërkesa ime ndaj Drilonit u plotësua, e për këtë e falenderoj. Sepse filmi flet për dy të rinj që duhen tej mase. Është e nevojshme puthja, sepse publiku duhet të arrijë të kuptojë që ne të dy duhemi.
Si është puthja e kinemasë, sa afër asaj të vërtetës?
Puthjen e lamë për në fund të xhirimeve. Por pa dyshim e sikletshme, sepse unë dhe Driloni jemi shumë miq me njëri-tjetrin. Shpesh herë jam e vetmja femër aty, por ama më e respektuara nga të gjithë.
Pse verë të kuqe gjatë skenave, stimuloheni me pak alkool gjatë xhirimeve?
Nuk pijmë alkool në sheshxhirim. Vera ishte pjesë e skenës që po xhirohej.
Ti vetë çfarë bën për t’u ndier e karikuar gjatë punës për një film?
Mendoj të ardhmen time dhe karikohem mëse mjaftueshëm, aq sa të karikoj dhe të tjerët duke i nxitur.