Ajsi Xhaxhaj: Ferrin që përjetova në fëmijëri dhe adoleshencë e kalova përsosmërisht, fjala që më bën të mos kem më imunitet në trup është…
Për Ajsi Xhaxhaj bukuria është bajate, dhe pa zgjuarsinë nuk ka vlerë. Fama në fëmijëri dhe adoleshencë si protagoniste e “Kripmjaltëzave”, u pasua nga disa vite të errëta, një ngjarje tashmë e mediatizuar e që Ajsi nuk dëshiron t’i rikthehet. Por pas rindezjes së konfliktit me rrëfimin e saj në ekran të historisë së përdhunimit, aktorja 22 vjeçare me sharm të veçantë, flet për të shkuarën, zbulon botën e saj shpirtërore, mendimin që ka për meshkujt dhe hapat që po hedh për karrierë europiane në kinema. Në këtë rrëfim të veçantë për revistën “Story” do të njiheni me gjithçka nuk dinit për vajzën më të komentuar të viteve të fundit.
Kur zgjohesh në mëngjes e sheh gotën gjysmë plot apo gjysmë bosh?
E shoh gjysmë plot, boshllëku duhet që të mos derdhet kurrë.
Melodia që nis ditën?
Mëngjesin e kam me “Loose Yourself” të Eminem.
Libri që po shfleton para gjumit?
Për momentin me librin “The Prince” të Niccolo Machiaveli.
Ndjesia që të la roli i fundit?
Ndjesi pozitive. Roli im i fundit është në filmin “Jeto ndryshe”, me regji të Drilon Hoxhës dhe producent Dashnor Asllanin. Të qenurit një nga rolet kryesore kërkon përgjegjësi, ndaj kisha shpesh herë dhe ndjesi frike për ta arritur sa më mirë atë që më kërkohej. Por pa dyshim jam shumë krenare.
Çfarë natyre femre u ndjeve brenda rolit?
E bukura e rolit tim është se nga fillimi deri në fund nuk duhet të luaja një lloj tipi, sepse vajza që unë luaj është si fillim e brishtë. Më pas e përfshin drama e fabulës, dhe kjo e bën të ndryshojë, të bëhet një femër e fortë në disa aspekte dhe fatale, por padyshim pa humbur sensin e të qenurit e mirë.
Gjen të përbashkëta me rolin?
Në fakt dhe unë kam pasur dramat e mia në jetë, të kaluara qetë dhe përsosmërisht, siç është dashur të kalohen… Kemi disa gjëra të përbashkëta. Kryesorja është që na bashkon fortësia. Gjithsesi nuk e kam luajtur si Ajsi, por thjesht si karakteri i krijuar nga unë.
Me cilin nga aktorët e filmit “Jeto ndryshe” krijove lidhje të veçantë?
Nuk e di nëse do të hynin tek lidhjet e veçanta, por më tepër tek të ngushtat. Padyshim me Drilonin, që është dhe partneri im në film dhe regjisor, si dhe me producentin Dashnor Asllani, të cilin e njoh prej vitesh. Me të dy flas shumë hapur, jemi shumë miq me njëri-tjetrin dhe kemi shumë koenfidenca, duke diskutuar kështu për çdo gjë.
Pjesë e kastit ishte edhe këngëtari Shpat Kasapi. Jeni bërë miq?
Shpatin e kam shumë përzemër. Është njeriu me pozitiv që njoh, dhe djalë tepër i respektueshëm. E di që e kam një vëlla në Shkup.
Po me Arkimed Lushaj (Stresin) vazhdoni miqësinë?
Normalisht, ne kemi miqësi familjare. Të dy jemi shumë të zënë me impenjimet tona, e megjithatë kjo s’na ka penguar aspak për të qenë miq deri në fund.
Ka pasur njerëz që janë vendosur në krah të kundërshtarit tënd?
S’do e quaja kurrë kundërshtar. Thjesht një palë tjetër. Ata që janë njësoj si kjo palë, vendosën thjesht të qëndronin ashtu.
Do i vendosje një emër palës tjetër?
Jo, jo… Është shumë po t’i vendosësh një emër.
Kur dëgjon fjalët “përdhunues” apo “përdhunim” çfarë ndjen?
Thjesht nuk kam imunitet më në trup. Dhe gjithmonë u shmangem diskutimeve të tilla për shkak se ndihem keq.
Sikur të ktheheshe pas në kohë, çfarë do të doje të kishe shmangur nga jeta jote?
Nuk kthehem dot pas në kohë, por nëse do të kthehesha, do të kisha shmangur vetëm njerëz nga jeta ime, pasi vetëm ata i sjellin ngjarjet e trishta.
Kur mbyll sytë para gjumit cilat momente të errëta të kalojnë si film në mendje nga e shkuara?
Unë kam vite që mbyll sytë për të parë vetëm ëndrra apo plane të bukura. E kaluara ka mbetur atje, me çdo gjë të errët pjesë përbërëse.
Çfarë këshille të japin prindërit?
E vetmja gjë që më thonë është: Ji e lumtur!
Si mund ta rrëfeje jetën në një autobiografi, nëse do të ishe shkrimtare?
Sado e madhe të jetë dhembja e dramës, kurrë nuk do flisja drejtpërdrejt për dramën. Do të bëja një rrëfim duke përdorur figuracione. Unë nuk kam tentuar dhe s’do tentoj kurrë të bëj të pamundurën për të më kuptuar të gjithë.
Po kush duhet të të kuptojë?
Ata që dëshirojnë të kuptojnë. Gjithmonë njerëzit kuptojnë se duan, ose nuk kuptojnë, sepse sërish kështu duan.
Duket se luan shumë me fjalën. Është kjo një aftësi që e ke zbuluar herët apo vonë?
Unë nuk luaj kurrë me fjalët. Të tjerë luajnë me fjalët, sepse vetëm ato u kanë mbetur tashmë.
Kur të është dukur jeta fushë me lule dhe kur ferr i vërtetë?
Jetën ferr në fëmijëri dhe adoleshencë. Fushë me lule tani, e kështu do të vazhdoj, besoj.
Po larjen e mëkatit si do t’ia dëshiroje dikujt?
Nuk mendoj fare për atë pjesë. E ka Zoti në dorë. Koha tregon gjithnjë.