“Ai është dhelpra dhe pula…”- Ilir Shaqiri i përgjigjet Albi Nakos: Ai e di kush jam unë, kush është ai! Të gjykoj me gjakftohtësi, jam mësuar me këtë lloj hidh e prit

Një “debat” duket se ka nisur mes dy balerinëve mjaft të njohur, Ilir Shaqiri dhe Albi Nako, ku ky i fundi ka kritikuar anëtarin e jurisë se DWTS, Ilir Shaqiri duke e quajtur “dhelpër” dhe se pikët që ai jep nuk përshtaten me komentet që bën.

Albi i bëri komentet e tij nisur nga përplasja që Iliri pati me Token, një balerin në DWTS.

“Në një proces gjyqësor të pulës, nuk mund të jetë anëtar i jurisë një dhelpër në këtë rast. Dhelpra është Iliri dhe pula është Tokja (balerini)”, ka thënë Albi më herët dukë thënë ndër të tjera se “vë re shpesh herë në juri që ‘bravo të lumtë, ulu, katër’ dhe ‘nuk ishe fare mirë sot, ulu 10’”.

Kjo nuk i ka pëlqyer aspak Ilirit, i cili në një intervistë për DWTS Fan Club është shprehur se Albi duhet ti shikoj vlerësimet me gjakftohtësi dhe se komentet nga ana e tij i ka marrë si kompliment, duke shtuar se është mësuar me “këto hidh e prit”.

“Unë nuk kam këtë lloj ekstremi psiqik që të ha atë që them si koncept, origjinë, kritikë ose si vlerësim, ato pikë jap. I them Albit që ndoshta duhet të ulet dhe t’i rishikojë momentet, kur unë jam shprehur, si profesionist që është dhe ta analizojë më me ftohtësi këtë gjënë sepse të gjeneralizosh është shumë kollaj, të specifikosh është shumë e vështirë.

Të komentoj njërën kafshë, apo kafshën tjetër nuk kam shumë dëshirë, por e thënë nga Albi është një kompliment. I kam komplet si shiu mbi mushama dhe nuk më prek asnjë gjë, jam mësuar me këtë lloj hidhe prit dhe më the e të thashë. Unë i uroj Albit të përfaqësojë në Fan Club atë që është zhaneri ynë, që është kërcimi dhe që ai e di shumë mirë në të gjithë kompleksin e fjalës kush jam unë, kush është ai dhe kush është gjithë dynjaja”, përfundoi Ilir Shaqiri.

Pas kësaj deklarate Albi Nako tha se e respekton shumë dhe është profesionist, ndërsa ka shtuar se komentet e tij kanë qenë në formën e batutës.

“Në lidhje me batutën e dhelprës dhe pulës, është në kuadrin e një batute, ajo është një situatë e metaforizuar dhe nuk është se unë Ilirin e quaja dhelpër si karakter, si njeri, po ashtu edhe Tokjen me të gjithë respektin që kam e quaj pulë. Unë e shpjegova dhe herës që kaloi, që kjo është një situatë e mbartur nga “BBV”, këtu nuk është faji im që një pjesë e konsiderueshme e kastit janë kast nga “BBV” dhe për mua ngelet një fitil i ndezur në një kohë të shkuar dhe bombat apo shashkat shpërthejnë në këto lloj emisionesh.

Unë me Ilirin kam një të shkuar të hershme që në Itali. Kemi shumë situata të mira bashkë. Por kemi një shkëputje në vite. Në botën e artit çuditërisht me ka ndodhë të kem patur shumë miq dhe koleg. Kemi patur një marrëdhënie të shëndetshme, por koha vërtetoi të kundërtën. Nuk e di pse njerëzit pasi pozicionohen në punë, automatikisht kthejnë beterit kundër njëri tjetrit. Për mua është një luftë e ftohtë, por e panevojshme. Nuk kemi pse ta personalizojmë këtë situatë. Me Ilirin nuk kam asgjë personale dhe e vlerësoj dhe e respektoj shumë”, replikon Albi Nako.

Panorama