Agron Llakaj rikthehet në “Portokalli”?

Largimi i Agron Llakajt në 2010-ën nga “Portokalli”, të cilën e themeloi dhe e drejtonte, mori vëmendjen e të gjithëve… Pas një përvoje të gjatë aty, Llakaj u shfaq në “Klan” në drejtimin e një ‘game show’, duke i bërë të gjithë kuriozë për vazhdimësinë e karrierës së një prej aktorëve më të dashur.

Por në vitin 2012, Llakaj vijoi punën në “Vizion Plus”, duke krijuar “Al Pazar”, një format varieteje, i ngjashëm me “Portokalli”.

Megjithatë duket se pas 10 vitesh, ai ka vendosur të rikthehet në spektaklin më të vjetër të humorit në Shqipëri.

Burime brenda “Top Channel”, bëjnë të ditur për “Who” se Llakaj po negocion me ftesë të drejtuesit Ben Blushi për të marrë sërish timonin e “Portokalli”, pas lajmeve se Altin Basha regjisori i këtij formati prej ditës së parë do të largohet me një format tjetër në “Abc News”.

Basha u shpreh se nuk ka asgjë të vërtetë për largimin e tij, por zëra të ndryshëm vijojnë të thonë se ai do të ikë nga “Top Channel”.

Tre vite më parë Agron Llakaj u shpreh në “Xing me Ermalin”, për arsyet e largimit të tij nga “Portokalli”.

“Unë ofrova diçka për ndryshim, por mendimi im nuk u përqafua dhe prej momentit kur nuk prodhon më vlerë e kthehet në një lloj monotonie, mirë është që të largohesh. Unë nuk kam pranuar ndonjëherë që të jem i varur në çengel që dikush të më lëvizë majtas apo djathtas”, – u shpreh ai. Megjithatë sipas zërave që qarkullojnë duket se tashmë, çdo gjë ka mbetur pas dhe Agron Llakaj ka vendosur të rikthehet në spektaklin e parë të humorit në vend.