Agron Llakaj flet për ‘aktorët’ e TikTok-ut: “Budallai është bërë i pari i fshatit, të jesh i tillë sot është titull”
Ai është një ndër figurat më të rëndësishme të humorit shqiptar, aq sa nuk do të ekzagjeronim aspak po të thonim që Agron Llakaj është një ndër themeluesit e tij këto 30 vitet e fundit. Një jetë në skenë, një jetë pranë publikut të cilin e ka bërë për vete me batutat e tij, duke na shkaktuar të qeshura pa fund, por edhe të përlotemi shpeshherë falë mjeshtërisë së paraqitjes së realiteteve paradoksale në të cilat jetojmë.
Artisti i madh vijon të na shtojë të qeshurat dhe të na zbukurojë mbrëmjen e së shtunës me “Al Pazar”, ekskluzivisht vetëm në ekranin e “Vizion Plus”. Por si është për një aktor të jetojë dhe shpeshherë të mbijetojë në treg, në një kohë kur rrjetet sociale prodhojnë aq shumë komedinë të vetëshpallur? I ftuar ditën e djeshme në studion e Brikena Priftit, ai foli për këtë temë dhe më konçiz dhe të drejtpërdrejtë se kaq, zor se mund ta kishim dëgjuar ndonjëherë.
“Budallain në fshat nuk e njihte njeri dhe doli Facebook-u, Instagram-idhe Tik Tok-u dhe u bë i pari i fshatit. Unë kam një personazh në “Al Pazar” çfarë ka ky të veçantë? Ky është budalla mo, çfarë thua! Të jesh budalla është titull sot”,- tha Llakaj.