Agon Nimani, “Ice Boy”, tregon çfarë ndodhi pas “Top Fest” dhe pse u largua nga muzika

Agon Nimani të cilin publiku e njeh si “Iceboy” ose “1MAN”, ka qenë një nga artistët më të dashur shqiptarë, mirëpo, prej kohësh Agoni nuk është më pjesë e industrisë së muzikës. Ai ka realizuar ditën e sotme një lidhje telefonike me “Pardon my french”, ku foli për pjesëmarrjen në festivalin modern të muzikës shqiptare dhe shkëputjen nga muzika.

Agoni ka marrë pjesë në 3 edicione të “Top Fest” dhe ka qenë shumë i suksesshëm. Mirëpo, kënga e tij më e njohur ka qenë “Një puthje” nga e cila u bë shumë i njohur. Duke u ndalur te kjo kënga, ai u shpreh se të gjithë kanë menduar se ka qenë pjesë e “Top Fest” por në fakt suksesi i këngës erdhi pas performancës së tij në “Top Show”.

Agoni tregoi se jeta e tij ndryshoi 360°, kur vendosi të vazhdonte studimet në Angli duke u shkëputur nga muzika. Aktualisht ai është një graphic designer shumë i suksesshëm dhe po ashtu është pjesë e botës akademike në Kosovë, por është ende i lidhur me muzikën.

“Provova të bëja disa këngë pas studimeve, por nuk kisha kohë t’i dedikohesha. Kjo është arsyeja pse nuk jam marrë më me muzikë. Unë jap mësim në një universitet të Kosovës, zhanrin i Multimedias dhe jam i angazhuar me videoklipe, spote. Prap jam i lidhur me muzikën.”- tregoi ai.

Agoni mori pjesë në maj të 2004, në “Top Fest 1” me këngën “Mos Mu Afro”, e një vit më pas u prezantua në festival me këngën “Kataklizma”.

“Jetoj për ty” mbante titullin kënga e tij në “Top Fest 3” në bashkëpunim me Monika Salihun, një këngë shumë e suksesshme.

/News31