AGIM VINCA: LUMTURIA ËSHTË E PAKAPSHME SI YLBERI
Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Agim Vinca.
Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia është si ylberi. Sa më shumë që i afrohemi, aq më shumë largohet nga ne. Ka çaste të lumtura në jetë, por lumturi të përhershme dhe aq më pak të përkryer nuk di a mund të ketë.
Cila është frika juaj më e madhe?
Unë jam prind, baba, gjysh, por edhe njeri dhe qytetar. Frika ime më e madhe është të mos u ndodhë diçka e keqe të dashurve të mi, veçanërisht të vegjëlve, si dhe popullit dhe vendit të cilit i takoj.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Ka njerëz të gjallë veprën e të cilëve e çmoj, e admiroj. Mirëpo, gjenialiteti i tyre krijues nuk përputhet me karakterin e tyre njerëzor, andaj refuzoj të përmendi emra konkretë.
Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Fan Noli. Një personalitet kompleks, krijues i gjithanshëm, poet, kritik letrar, përkthyes, historian, muzikolog, orator; një atdhetar i pashoq. Vetëm tre-katër vjet të jetës së tij i kaloi në Shqipëri, por tërë jetën ia kushtoi Popullit të vet, që e deshi jo me sy mbyllur, por duke i parë edhe veset dhe dobësitë e tij.
Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
Të qenët njeri që reagon shpejt. Me kalimin e kohës kjo dobësi më është zbutur, por nuk është shmangur krejtësisht.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Dyfytyrësia, hipokrizia, mosmirënjohja.
Në cilat gjëra e teproni?
Në të kërkuarit shije e perfeksion edhe aty ku ato mungojnë.
Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
Jam shumë alergjik ndaj gënjeshtrës. I përbuzi ata që gënjejnë në jetë dhe në shkrime. Natyrisht, ka edhe raste kur nuk mund të thuhet e vërteta. Më ka ndodhur shumë vjet më parë me motrën time të sëmurë nga kanceri, së cilës pas fjalëve të mjekut se nuk ka shërim, u desh t’i them se do të ktheheshim në shtëpi për ta vazhduar terapinë dhe pastaj do të vinim përsëri në spital (në Zagreb). Nuk mund t’i thosha se do të vdiste!
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Nga qyteti ku jetoj në vendlindje, por edhe kudo në hapësirën shqiptare. Më pëlqejnë sigurisht edhe udhëtimet në botë. Ka aq shumë vende të bukura, të cilat nuk mjaftojnë as dy jetë për t’i parë e vizituar.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Rri shtremt’, fol drejt!
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që kam besuar dhe investuar te disa njerëz që nuk e kanë merituar.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Nëna. Nuk ka dashuri më të madhe në jetë. Në letërsinë franceze flitet për “kultin prustian” (të nënës). Edhe Rolan Barti ka qenë shumë i lidhur me nënën e tij dhe e ka trajtuar këtë temë te “Ditari i zisë” (Journal de deuil). Për këtë pyetje kam edhe një përgjigje alternative: Gjuha shqipe, që e kam thithur me qumështin e nënës.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Gjendja mendore e një njeriu që ka hyrë në moshën e tretë të jetës, por që s’mund të ankohet shumë për shëndetin e tij mendor dhe sidomos për kujtesën e vet.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të isha pak më praktik në jetë, mbase edhe pak më fleksibil.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Punën time me studentë në fakultet për dyzet e sa vjet. Dhe çfarë pune! Pa hile. Edhe punën krijuese, të cilën deri në daljen në pension e kam zhvilluar kryesisht në orët e vona të natës, shkaku i së parës.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do ta shfrytëzoja më mirë kohën dhe nuk do të humbja kohë e energji për gjëra të kota e njerëz të pavlerë me të cilët më ka rastisur të ndeshem në jetë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Pyetje e vështirë. Metempsikozë. Po të ishte e mundur kjo gjë do të doja të isha rrap me rrënjë thellë në tokë ose zog që fluturon lart në qiell, shqiponjë…
Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?
Familja, fëmijët, nipat, mbesat, librat që kam shkruar dhe biblioteka ime, që e kam të shpërndarë në tre vende.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Humbjen e identitetit në plan kolektiv, ndërsa të integritetit në atë individual.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Këtu ku jetoj tash pesëdhjetë vjet, në Prishtinë. E dua shumë edhe Prizrenin si qytet, pa harruar as qytezën buzë Drinit (të Zi), që është muza ime. Në botën e jashtme do të zgjidhja Parisin, këtë qytet magjik, që është një botë e tërë.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Sinqeriteti i tepërt, herë-herë deri në naivitet. E para. Dhe e dyta: këmbëngulja për të qenë i drejtë në familje dhe në shoqëri.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Guximin dhe krenarinë. Mbajtja e fjalës është po ashtu për mua një nga tiparet qenësore të burrit dhe të njeriut në përgjithësi.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Karakterin, bujarinë, fisnikërinë…
Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Janë shumë, shqiptarë dhe të huaj. Homeri, Servantesi, Shekspiri, Hygoi… De Rada, Mjeda, Kuteli, Migjeni… Pa përmendur edhe bashkëkohorët, që janë të shumtë dhe tejet të rëndësishëm.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Gjithkush që bën një punë të mirë në jetë. Edhe ai që mbjell një fije bar aty ku nuk ka pasur kurrë më parë.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të arkitektit. Sepse po ta kisha pasur këtë talent ndoshta do të kisha ndërtuar një shtëpi të bukur.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Në këmbë, po qe e mundur, ose edhe në shtrat, por pa lënguar gjatë dhe pa u shkaktuar vuajtje të afërmve të mi.
Cila është motoja juaj?
Perënditë e lanë që njeriu para çdo suksesi të djersitet!
ObserverKult