Adelina Ismajli ka refuzuar ftesën për në Sanremo! Këngëtarja zbulon arsyen pse
I ftuari i fundit në emisionin e Adelina Ismajlit ka qenë Behgjet Pacolli. Politikani ka ndarë një detaj lidhur me Adelinën, që vështirë se e kishim dëgjuar më parë.
Pacolli ka treguar se në vitin 2002, Sanremo ka kërkuar një këngëtare shqiptare për ta ftuar në festivalin prestigjioz. Ai kishte propozuar menjëherë Adelinën, por e ëma e kësaj të fundit e kishte refuzuar ftesën. Këngëtarja ka dhënë një shpjegim lidhur me reagimin e 18 viteve më parë, duke shpjeguar situatën aktuale në të cilën ndodhej ajo dhe familja.
“Ne në vitin 2002 Z.Pacolli, ndoshta edhe unë e kam me borxh një shpjegim publik, ka qenë kohë e pasluftës, ishin vetëm dy vite sa kishte mbaruar lufta. Përveç traumave të luftës kishin filluar edhe ato të pasluftës dhe reagonim – ishin nëna dhe ne tri vajzat – me një egërsi të pashoqe, kur afrohej dikush që na jepte një të mirë, që normalisht duhet me qenë e kundërta që ta pranosh të mirën, e ne tmerroheshim. Ka vazhduar kështu një kohë të gjatë”, ka treguar Adelina.
Pas këtij refuzimi, Elsa Lila performoi në Sanremo me këngën “Valeria”. Një histori që publiku nuk e kishte ditur më parë… /News3