Adele flet për varësinë nga alkooli dhe e quan veten ‘borderline alcoholic’

Adele, albumi “30” i së cilës përmbante një këngë të titulluar “I Drink Wine”, nuk po konsumon më asnjë pije alkoolike.

“Kam ndalur së piri [alkool] shumë kohë më parë…kam ndaluar së piri, kur e kam ndërprerë pijen? Duket si një përjetësi. Ndoshta tre muaj e gjysmë më parë,” i tha ajo audiencës gjatë një shfaqjeje në Las Vegas.

“Është e mërzitshme. Dua të them, oh Zot, është e mërzitshme. Unë kam qenë fjalë për fjalë ‘borderline alcoholic’ gjatë të njëzetave të mia, por më mungon kaq shumë. Kështu që shijoje uiskin tënd, jam shumë, shumë xheloze,” i tha ajo një personi të pranishëm.

Ekspertët e shëndetit nuk e kanë përdorur kurrë termin “borderline alcoholic”. Por, duke e përshkruar veten në këtë mënyrë, Adele duket se thotë se alkooli ka patur një ndikim shumë negativ në jetën e saj dhe si shumë të tjerë ka vendosur të bëjë ndryshime. Çrregullimi i personalitetit kufitar (borderline personality disorder) është një çrregullim mendor që ndikon në aftësinë e një personi për të rregulluar emocionet.

Adele ka folur hapur se sa shumë i ka pëlqyer alkooli në të kaluarën. “Unë kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të ngushtë me alkoolin. Kam qenë gjithmonë shumë e magjepsur nga alkooli. Ai më largoi babain. Kështu që gjithmonë kam dashur të di se çfarë kishte kaq të mrekullueshme,” tha ajo për Vogue në vitin 2021.

Mark Evans, babai i Adele, vdiq në maj 2021 nga kanceri i zorrëve, por nuk ishte i pranishëm në jetën e saj për pjesën më të madhe të fëmijërisë, sipas People. Prindërit e Adele u divorcuan kur ajo ishte vetëm 3 vjeç.

Anabelmagazine