Adele bën pushim nga muzika, do t’i përkushtohet shkollës, artistja: Dua të marr diplomën në Letërsi Angleze

Këngëtarja e njohur Adele po heqë dorë për pak kohë nga muzika për t’iu përkushtuar ëndrrës së saj. Pas detyrimeve të fundit profesionale, këngëtarja do t’i përkushtohet arsimit për të marrë diplomën për Letërsi Angleze. Menjëherë pas publikimit të këngës së fundit, ajo ka deklaruar se do të nisë mësimin.

Sipas një raporti të The Sun, artistja britanike foli për këtë përmes një pyetje dhe përgjigje që bëri me fansat e saj. Ajo tha: “Pas Vegasit, me të vërtetë dua të marr një diplomë në Letërsi Angleze. Nëse nuk do të kisha arritur në këngën time, mendoj se do të isha patjetër mësuese e Letërsisë Angleze. Padyshim që e ndjej se e përdor pasionin që kam për letërsinë angleze në atë që bëj. Por edhe pse nuk do të gjeja një punë nga diploma ime, do të doja të kisha shkuar në universitet dhe të kisha fituar atë përvojë”.

Më pas ajo zbuloi se do të marrë arsim në distancë. “Unë nuk do të shkoj në universitet, do ta bëj online me një tutor, por ky është plani për vitin 2025. Është vetëm për të marrë kualifikimet”.

Për shkak të koncerteve të saj në janar, Adele do të qëndrojë në Las Vegas nga fillimi i nëntorit.