Adela Lami: Nëse një ditë dashuroj personin e duhur ai do të jetë…

Një karrieriste me shpirt të bukur, që do të jetojë gjithmonë në liri të pafundme. Adela Lami është balerina që pas famës në Shqipëri, ka prekur magjinë skenike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sajë të kontratës me kompaninë “Ajkun Ballet Theatre” në Nju Jork. Partnerja e VIP-ave në spektaklin “Dancing with the stars”, me shumë ndjekës në rrjetet sociale për sharmin dhe stilin veçantë është kthyer këtë verë të nxehtë për pushime në Shqipëri. Bashkë me një set fotosh të veçanta me rrobabanjo ajo rrëfen në këtë intervistë për revistën “Story”, marrëdhënien me paranë, dashurinë, burrin e arshshëm dhe frikërat në jetë.

Je një balerinë që po shijon suksesin ndërkombëtar. Si e sheh veten pas disa vitesh, nënë me fëmijë apo karrieriste që jeton në liri të pafund?
Mendoj se edhe nëse do ma bënit këtë pyetje në moshën 5 vjeçare, kur as kuptimin s’do ja dija fare qartë me siguri do të jepja të njëjtën përgjigjje si sot. Mendoj se çdokush e ka një rrugë të tijën në jetë, që pjesërisht e zgjedh, dhe pjesërisht është e zgjedhur për të. Përjetësisht do të jem një karrieriste që jeton në liri të pafundme.
Duket se jeta e përkëdhel, në ç›aspekt ndihesh e bekuar vërtet nga Zoti?
Bekimi më i madh për mua është familja. Çdo ditë falënderoj forcën që qëndron mbi njerinë për familjen që më dha! E vetmja gjë që nuk zgjedh në jetë e njëkohësisht e vetmja gjë që nuk do ndryshoja në jetë.
Ke shkurtuar aq shumë distancat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pasur parasysh që je e pranishme shpesh edhe në Tiranë. Të bësh një jetë të tille kërkon para, investon familja për ty?
Një jetë e tillë kërkon investim të të gjitha formave; kohe, ndjenjash e parash. Familja ime është gjithmone aty për të më përkrahur.
Dikush mund të thotë se a ja vlen të lodhesh kaq shumë për të gjetur veten në një vend si Amerika. Ti çfarë synimesh apo ambiciesh ke për veten?
Unë jam fatlume që kam arritur në një pikë në jetën time ku e njoh mjaftueshëm mirë veten dhe nevojat e mia. Një artist lind, jeton e vdes me ambicie dhe synime, kësisoj dhe unë nuk bëj dot pa to. Ama nuk më pëlqen të flas për to, por t’i tregoj me vepra.
Bie në sy jo vetëm për stilin, por edhe për veshjet e veçanta. Je e varur pas markave, dhe prej kujt blogereje frymëzohesh?
Do të gënjeja nëse do të thoja që nuk më pëlqejnë markat. Ama nuk jam në atë pozitë në jetën time ku çdo rrobë e imja të jetë një markë e shtrenjtë. Nuk frymëzohem nga njerëz, frymëzohem nga ndjenja dhe vende.
Mendon se të dukurit një vajzë e mbuluar nga luksi i tremb apo i tërheq më shumë djemtë?
Kohët e fundit kam mësuar që meshkujt nuk dinë se si të komportohen kur kanë mundësinë të kenë në krah një femër të suksesshme, që nuk ka nevojën e askujt. Pavarësia i tremb meshkujt e ajo përmbledh shumë karakteristika në vete.
Je e dashuruar, dhe sa të ndihmon apo pengon një lidhje dashurie në karriere?
Nuk jam e dashuruar. Nëse një ditë do të dashuroj njeriun e duhur ai do të jetë ndihmë në karrierën time. Nëse ai nuk dashuron karrierën time atëherë ai nuk dashuron qenien time. Një njeri i tillë nuk ka vend në jetën time.
Burri që do të kesh në krah duhet të jetë patjetër i pasur?
Duhet të jetë patjetër i suksesshëm në çfarëdo rrugë të jetës, që ai ka zgjedhur. Një njeri që punon me këmbëngulje për synimet e tij, punon po aq fort për të mbajtur marrëdhënien e tij sentimentale.
E mendon veten dot pa paranë, dhe nëse do të duhej t’ia nisje nga a para në jetë nga do e nisje?
Jo, skam arsye pse ta mendoj pa të. Gjithmonë kam menduar se nëse do të kthehesha pas në kohë, nuk do ndryshoja gjë, por në të vërtetë do e bëja. Do të studioja më shumë, kërceja më shumë, punoja më shumë, doja më shumë. Jam një njeri që nuk kënaqet kurrë.

 

Si artiste nuk vuaj nga ndonjë krizë personaliteti, por disa gjëra dhe duhet të na trembin në jetë

Për ju balerinat ekziston një stereotip se pushtoheni aq shumë nga ambicia për të qenë “e para” në profesion sa arrini në krizë personaliteti, që ju pengon të shijoni gjithçka keni. Si është e vërteta?
Shijoj çdo sekondë, çdo ndodhi dhe çdo përvojë të jetës sime. Nuk vuaj nga ndonjë krizë personaliteti, të paktën jo për aq sa di unë.
Ti ndihesh më shumë klasike apo moderne, si në profesion dhe në jetë?
Kam një miksim të çuditshëm të të dyja epokave, asnjëherë nuk zgjedh njërën mbi tjetrën.
Vepron si brune apo si bionde në hapat që hedh në jetë?
Veproj si Adela, pa përcaktime ngjyrash. S’më pëlqejnë stereotipet.
Tërheq vështrime mashkullore si një dive kinemaje që i jep rëndësi shikimit, apo si një balerinë skene që i jep rëndësi hapit që tërheq vëmendje?
Kjo është një përgjigjje që më mirë se unë mund ta jepnin meshkujt.
Femra idhull që të bën ta ndjekesh modelin e saj pa vetëdije?
Pa vetëdije, ndoshta në subkoshiencën time ekziston një ose shumë modele femrash, të cilat i ndjek. Por duke qenë tërësisht modeste dhe aspak delirante di të them që nuk kam një model të cilin e ndjek verbërisht.
Ke ndonjë varësi nga e cila kërkon të heqësh dorë?
Deri në pikën që të quhet varësi nuk besoj se kam, ama atë telefonin do të doja ta përdorja më pak.
Ndonjë frikë që kërkon ta sfidosh?
Frikëra kam por nuk ndjej nevojen t’i sfidoj. Fundja disa gjëra dhe duhet të na trembin në jetë.