
Adela Demetja zgjidhet drejtuesja e re e Galerisë Kombëtare të Arteve
Adela Demetja është emëruar si drejtuesja e re e Galerisë Kombëtare të Arteve, njohur zyrtarisht si Muzeu i Arteve të Bukura, ndërtesa pranë pedonales së kryeqytetit, që ka disa vite jo aktive, për shkak të punimeve për rijetëzimin e saj.
Qeveria ka emëruar drejtoreshën e re të Galerisë Kombëtare të Arteve, ditën e djeshme, pasi ka emëruar po brenda korrikut edhe drejtuesit e rinj të Arkivit Qendror të Filmit dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Por, kush është Adela Demetja që vjen në krye të institucionit më të rëndësishëm të arteve pamore?
Demetja vepron si artiste jo vetëm në vend, por edhe një emër i njohur në galeritë europiane. Kuratore, menaxhere kulture dhe producente arti, përtej krijuese siç është shpërfaqur edhe në media. vetëm disa vite më parë, emri i saj u bë përfaqësimi i Shqipërisë në Bienalen e Artit në Venezia.
Më një diplomë masteri për “Studime Kuratoriale dhe Kritike” nga Städelschule dhe Universiteti Goethe në Frankfurt, Adela Demetja që prej vitit 2010 kontribuon edhe si drejtore artistike e Tirana Art Lab, një qendër për Artin bashkëkohor në Tiranë.
Vendimi është marrë në mbledhjen Këshillit të Ministrave. “Vendim përemërimin në detyrë të drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi znj. Adela Demetja emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në VKM. (A2 Televizion)