Adams e Broja rrëzohen në minutat e caktuara dhe xheli energjik: zbulohet sekreti i Southampton
Southampton mund të ketë një taktikë sekrete. Klubi i Premier League shpesh herë ka barazuar ose përmbysur rezultatin pas 60 minutash lojë këtë sezon. Një detaj që intrigoi The Athletic, aq sa faqja sportive bëri një kërkim të detajuar. Vetëm dhjetë ditë më parë, skuadra e Ralph Hasenhuttl fitoi 3-2 ndaj Tottenhamit, një rezultat i ardhur në fund dhe me përmbysje pas disavantazhit 2-1. E nuk është hera e parë që Saints në pjesën e dytë arrijnë të gjejnë energjinë e duhur për të ndryshuar fatin e një ndeshje. Athletic ka studiuar rastin e tyre dhe ka vënë në dukje se në shumë ndeshje një nga lojtarët e Southampton, në minutën e 60-të dhe 70-të të lojës, bie në tokë dhe merr trajtim nga stafi mjekësor.
Çdo herë, gjatë këtij pushimi të shkurtër të lojës, Saints konsumojnë xhel energjik ndërsa qetësohen për pak caste. Kjo ka ndodhur në 14 nga 24 ndeshjet e tyre në Premier League deri më tani. Nuk ka asnjë sugjerim apo ndonjë siguri që Southampton po shtiret për lëndime për të shkaktuar qëllimisht ndalimin e lojës. Megjithatë, xhelat besohet se ndihmojnë në qëndrueshmërinë e lojtarëve, me rezultatet që fillojnë rreth dhjetë minuta pas konsumimit. Kjo do të thotë që sportistëve u jepet një shtysë energjie në kohën e duhur për fazat e fundit të ndeshjeve.
Një shtysë që u dallua për shembull në ndeshjen kundër Tottenham. Saints ishin duke humbur 1-2, por në fund arritën ta fitonin ndeshjen 3-2. Ralph Hasenhuttl arriti t’i shtrydhte lojtarët e tij deri në pikën e fundit, pavarësisht një sezoni rraskapitës. Athletic zbuloi gjithashtu se normalisht është një sulmues ai që bie në tokë dhe merr trajtimin. Adam Armstrong ishte futbollisti i klubit i cili ka marrë më shumë herë ndihmë (4 herë) mes minutave të 60 dhe 70. Kundër Spurs ishte Che Adams ai që u rrëzua në minutën e 63, përpara se edhe Armando Broja të merrte një trajtim të gjatë menjëherë pas golit të Son Heung-min në minutën e 70. Ish-fizioterapisti i Wolverhampton, Phil Hayward, i tha uebsajtit sportiv: “Jam i sigurt se mjekët e sportit kanë rekomanduar dhe sugjeruar se kur duhet bërë dhe Hasenhuttl i ka dhënë dritën jeshile”. A mund të jetë ky sekreti i vërtetë i suksesit të Southampton?