Abuzoi me peshkaqenin në Maldive, Gjiko në listën e zezë të turistëve

Disa ditë më parë reperi Gjiko dhe partnerja e tij prezantuese televizive, Elita Rudi kaluan pushimet në një resort luksoz në Maldive. Momenti kur këngëtari po peshkonte duke nxjerrë nga uji një peshkaqen të vogël (të cilin e kapi dhe e hodhi në rërë), u filmua nga e dashura e tij e më pas u postua në Instagramin e tij. Por duket se kjo video nuk ka qenë një shaka apo thjesht një argëtim, pasi e ka futur në telashe reperin. Shaff Naeem, një instruktor profesionist zhytjeje në Maldive e ka parë videon dhe i revoltuar e ka shpëndarë në profilin e tij në Facebook, duke bërë denoncimin e tij publik. “Këtu është një video e këngëtarit të famshëm nga Kosova, reperit Gjiko i cili ka peshkuar një peshkaqen dhe e ka hedhur në rërë duke bërë foto me të, e duke i postuar në Instagram për të treguar sa “i suksesshëm” ishte me atë që ka bërë. Ju lutem shpërndajeni këtë video sa më shumë që të mundeni sepse ai bllokon çdo person që i komenton në Instagram! Unë kam marrë një telefonatë nga një numër i paregjistruar për të mos përmendur emrin e resortit, por ai është Kuredu Resort.” ka shkruar ai. Postimi ka ngjallur debat, ndërkohë që nuk numërohen komentet negative nga e gjithë bota, të cilët akuzojnë reperin për këtë veprim duke e quajtur si shumë të rëndë dhe të pafalshme atë që ka bërë një turist si ai. Një koment është bërë dhe nga menaxheri i resortit, i cili shkruan: “Ne e kuptojmë që ju jeni të tronditur nga kjo video, sepse edhe stafi ynë ndihet i tillë njësoj. Edhe pse peshkaqeni është rikthyer përsëri në ujë, kjo nuk na shfajëson ne për këtë veprim, vizitorët janë shtuar në listën e zezë të resortit tonë dhe autoritetet lokale janë duke e ndjekur çështjen”. Zhurma e madhe është bërë sepse në Maldive ekziston një moratorium për peshkimin e peshkaqenëve, i vendosur më 15 mars 2010. Ende nuk ka reaguar reperi Gjiko në lidhje me këtë çështje.