Abazoviç dhe Osmani përplasen për “Ballkanin e Hapur”
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani janë përfshirë në replika të drejtpërdrejta lidhur me nismën rajonale të Ballkanit të Hapur.
Gjatë një diskutimi në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore që mbajti punimet në Mal të Zi, Abazovic, tha se çdo nismë rajonale që sjell zhvillim duhet shfrytëzuar.
“Unë nuk po angazhohem për ‘Ballkanin e Hapur’ ose për Procesin e Berlinit apo ndonjë nismë tjetër. Unë po angazhohem për bashkëpunimin rajonal. Çdo nismë që ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, gjithçka që mund të shfrytëzojmë për bashkëpunim, është sukses”.
Ndaj komentit të Abazoviçit reagoi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila edhe më herët është shprehur kundër nismës së Ballkanit të Hapur.
“Se a është dikush lider i zgjedhur në mënyrë demokratike, që beson në vlerat e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe në demokracinë dhe a është dikush ish-ministër i propagandës së regjimit të Milosheviçit, kjo duhet të ketë rëndësi. Ne i kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit vendit që bëri gjenocidin ndaj nesh, pa kërkuar ndjesë, pa parë keqardhje nga ana e tyre”.
Ndaj kësaj deklarate reagoi sërish Abazovic, i cili shtroi pyetjen sepse Kosova ulet në tryezë me Serbinë në procesin e Berlinit dhe e ka problem të ulet në atë të Ballkanit të Hapur.
“Si ka mundësi që ju, me shumë gjasa do të uleni në Procesin e Berlinit me të njëjtët njerëz, të cilët fatkeqësisht nuk e njohin Kosovën, ndërkaq Ohri është problem? Kjo është ajo që unë nuk e kuptoj”.
Kryeministri Abazoviç ka deklaruar më herët se do jetë pjesë e Samitit të Ohrit për Ballkanin e Hapur që mban punimet më 7 dhe 8 Qershor.
Tv Klan