
A po na bën AI më intelektualë apo më idiotë?
Kur mendja bëhet algoritëm dhe dija shndërrohet në sugjerim.
Nga Dr. Anisa Lico
Jetojmë në epokën e përgjigjeve të menjëhershme. Pyesim dhe marrim, kërkojmë dhe gjejmë, klikojmë dhe ndriçohemi — ose kështu besojmë. Në vend që të mendojmë, po shtypim butonin e komandës AI. Në vend që të eksplorojmë mendjen, po kërkojmë në Google. Dhe në vend të vetes, po pyesim AI-n.
Por a na bën kjo më intelektualë? Apo më të varur? Apo, le ta themi hapur: më idiotë me akses të menjëhershëm te inteligjenca artificiale?
Kur dijet vijnë të servirura, mendimi vdes urie.
Një herë e një kohë, dijet fitoheshin me përpjekje. Kërkonim në libra, pyesnim profesorë, diskutonim me miqtë, bënim gabime dhe dilnim të ndryshuar. Sot, një klik larg, kemi përgjigje për gjithçka — por jo domosdoshmërisht kuptim. Dhe këtu nis tragjikomedia moderne: dija është gjithnjë e më e madhe, ndërsa thellësia e të kuptuarit gjithnjë e më sipërfaqësore.
Një studim nga Universiteti i Stanford (2024) tregoi se studentët që përdorin rregullisht AI për ese, detyra apo madje edhe për të përpiluar pyetjet e tyre, humbin gradualisht aftësinë për të formuar mendime origjinale. Inteligjenca shndërrohet në efikasitet — por jo në thelb.
Në të vërtetë, AI nuk është vetë mendja. Është një pasqyrë e algoritmave që kanë lexuar miliona mendje dhe kanë mësuar të luajnë mendje. Por s’ka ndjesi, nuk ka ndërgjegje, s’ka kujtesë personale. Ndaj, kur ne e lejojmë AI të mendojë për ne, pa e kaluar më parë në filtrin e vetëdijes tonë, ne nuk po bëhemi më të zgjuar — po bëhemi më të shkëputur nga mendimi kritik.
Një nga fenomenet më alarmante të këtij viti është rritja e “copy-thinkers”: njerëz që flasin si AI, shkruajnë si AI, madje edhe ndihen sikur po analizojnë, kur në fakt po riprodhojnë tekst të optimizuar për algoritme.
Në rrjetet sociale, mbizotëron një lloj estetike e inteligjencës: citate të bukura, ese të ndërtuara nga AI, analiza që duken të thella, por që kur i gërmon, janë të zbrazëta si zbukurime vitrinash. Forma po zëvendëson përmbajtjen. Dhe kjo, në thelb, është rreziku më i madh: të besojmë se jemi duke menduar thellë, ndërkohë që po notojmë në ujëra të cekëta.
Çfarë i bën AI trurit tonë?
Përdorimi i shpeshtë i AI për të zëvendësuar përpjekjen mendore ka pasoja jo vetëm psikologjike, por edhe në nivel neuroanatomik. Kur njeriu nuk përfshihet aktivisht në procese si arsyetimi, zgjidhja e problemeve apo krijimi i ideve, pjesë të trurit si korteksi prefrontal dhe hipokampusi fillojnë të humbasin “ushqimin” e përditshëm të nevojshëm për të funksionuar në mënyrë optimale. Kjo çon në ulje të kapacitetit për përqendrim, planifikim afatgjatë dhe kujtesë të thellë. Një fenomen i quajtur “cognitive offloading” (shkarkim kognitiv) tashmë është studiuar gjerësisht dhe nënkupton varësinë gjithnjë në rritje ndaj mjeteve teknologjike për detyra që më parë i bënim vetë, si të kujtuarit apo të menduarit analitik.
Një studim i publikuar në Nature Human Behaviour (2023) tregoi se përdoruesit e rregullt të AI për vendimmarrje komplekse kishin një ulje me 17% të aktivitetit në korteksin prefrontal dorsolateral, krahasuar me ata që mbanin vendimet mbi veten.
Sipas një raporti të American Psychological Association (2023), 42% e të rinjve që përdorin AI për të zgjidhur sfida të përditshme raportojnë ndjenjën e “uljes së vetëbesimit mendor” dhe ndjesi “pavlefshmërie” përballë “perfeksionit” të makinës artificiale të mendimit.
Kjo konfirmon se nuk jemi përballë një mjeti neutral — por një force që po riprogramon mënyrën si mendojmë, besojmë, dhe vlerësojmë veten.
“Kur një mendje njerëzore ndalon së luftuari për të kuptuar, nuk është më mendje — është kujtesë e jashtme.”
— Carl Jung
Sokrati thoshte: “Dituria është të dish se nuk di.”
Por sot, të gjithë dimë gjithçka, dhe askush nuk e di më si të dyshojë. Dhe kjo është ironia më e hidhur: sa më shumë informacion kemi, aq më pak nevojë ndjejmë të mendojmë vetë. Dhe aty, në atë rënie të vetëdijshme nga përpjekja për të kuptuar, nis idiotësia moderne — e veshur me kostum intelektuali.
Nuk është më koha të pyesim vetëm “çfarë mendon AI për këtë?”,
por “çfarë mendoj unë për atë që thotë AI?”
Sepse po humbëm pyetjet tona, përgjigjet nuk do të kenë më kuptim.
Po u zëvendësuam nga një makinë, jo sepse ajo është më e zgjuar,
por sepse ne u dorëzuam nga përtacia e mendimit,
atëherë s’na bëri AI më idiotë —
u bëmë vetë.
www.story.al