A lutej Albert Anjshtajni/ Letra që gjeniu i shkroi një vajze të vogël
Në çfarë besonin mendjet më të mëdha të historisë së shkencës? Është një pyetje që shumë prej nesh e kanë bërë. Është një pyetje që është hedhur pa dyshim kur dikush del se ka qenë ateist. Teksa besimet e shumicës së të famshmëve janë të parëndësishme, idetë fetare dhe filozofike të atyre që janë të famshëm për intelektin janë një temë interesante.
Besimi fetar i Albert Ajnshtajnit është një nga pyetjet më të mëdha. Shumë njerëz e dinë se ai u rrit si hebre ndaj shumë janë të bindur për përkushtimin e tij ndaj Perëndisë së Abrahamit. Ateistët pëlqejnë ta përfshijnë atë si të tyrin.
Në janar të vitit 1936, një vajzë shkolle e quajtur Phyllis i shkroi Ajnshtajnit për ta pyetur nëse mund të besohej edhe në shkencë, edhe në fe.
I dashur Dr. Einstein,
Ne kemi ngritur pyetjen: “A luten shkencëtarët?” në klasën tonë të së dielës. Filluam duke pyetur nëse mund të besojmë si në shkencë ashtu edhe në fe. Ne po u shkruajmë shkencëtarëve dhe njerëzve të tjerë të rëndësishëm, që të përpiqemi të marrim përgjigjen e pyetjes sonë. Do të ndihemi shumë të nderuar nëse i përgjigjeni pyetjes sonë: A luten shkencëtarët dhe për çfarë luten? Jemi në klasën e gjashtë, në klasën e zonjushës Ellis.
Me respekt e juaja,
Phyllis.
Ai u përgjigj disa ditë më vonë:
E dashur Phyllis,
Unë do të përpiqem t’i përgjigjem pyetjes suaj sa më thjeshtë që të mundem.
Shkencëtarët besojnë se çdo dukuri, përfshirë punët e qenieve njerëzore, është për shkak të ligjeve të natyrës. Prandaj, një shkencëtar nuk mund të jetë i prirur të besojë se rrjedha e ngjarjeve mund të ndikohet nga lutja, domethënë nga një dëshirë e shfaqur në mënyrë të mbinatyrshme.
Megjithatë, ne duhet të pranojmë se njohuria jonë aktuale për këto forca është e papërsosur. Kështu që në fund, besimi në ekzistencën e një shpirti përfundimtar qëndron në një lloj besimi. Një besim i tillë mbetet i përhapur edhe me arritjet aktuale në shkencë.
Por gjithashtu, kushdo që është i përfshirë seriozisht në kërkimet e shkencës është i bindur se një lloj fryme shfaqet në ligjet e universit, një shpirt që është shumë më i lartë se ai i njeriut. Në këtë mënyrë ndjekja e shkencës çon në një ndjenjë fetare të një lloji të veçantë, e cila sigurisht është krejt e ndryshme nga feja e dikujt më naiv.
Me përshëndetje të përzemërta,
I juaji A. Ajnshtajni
Në përgjigjen e tij ndaj Phyllis, Ajnshtajni lë të kuptohet për panteizmin e tij, idenë se “Zoti është gjithçka”. Disa herë ai e shprehu këtë pikëpamje në mënyrë eksplicite duke i thënë edhe rabinit Herbert S. Goldstein: “Unë besoj në Zotin e Spinozës, i cili zbulohet në harmoninë e gjithçkaje që ekziston, jo në një Zot që merret me fatin dhe veprimet e njerëzimit”.
Ai shkoi edhe më tej duke i thënë një intervistuesi se ishte “i magjepsur nga panteizmi i Spinozës”. Ky panteizëm do të përbënte bazën e botëkuptimit të tij dhe madje do të ndikonte në idetë e tij në fizikë.
Mirë, por çfarë është saktësisht panteizmi?
Në formën më të thjeshtë, panteizmi është besimi se gjithçka është identike me Zotin. Mbajtësit e kësaj pikëpamjeje thonë shpesh se Zoti është universi, natyra, kozmosi ose se gjithçka është “një” me Zotin. Panteizmi i Spinozës, për të cilin Ajnshtajni ishte më i interesuar, pohon se universi është identik me Zotin. Ky Zot është jopersonal dhe i painteresuar për çështjet njerëzore.
Çdo gjë është bërë nga e njëjta substancë themelore, e cila është derivat i Zotit. Ligjet e fizikës janë absolute dhe shkakësia çon në determinizëm në këtë kozmos. Gjithçka që ndodh ishte rezultat i domosdoshmërisë dhe ishte vullneti i Zotit. Për individin, lumturia vjen nga të kuptuarit e kozmosit dhe vendit tonë në të, në vend që të përpiqemi të lutemi për ndërhyrjen hyjnore.
Besimet e Ajnshtajnit, megjithëse jo aq të forta sa përkushtimi fetar i shumë njerëzve, ishin pjesë e kundërshtimit të tij ndaj interpretimit të mekanikës kuantike, pasi një univers panteist vepron mbi shkakësinë ndërsa mekanika kuantike jo. Ai akuzoi teoricienët kuantikë Niels Bohr dhe Max Born se besonin në “Një Zot që luan zare”. Po kështu, ai u përpoq ta jetonte jetën e tij në një mënyrë që pasqyronte mungesën e vullnetit të lirë.
Albert Ajnshtajni ishte një panteist që ruante disa tradita hebraike. Ndërsa ai vuri në dukje se “Nga këndvështrimi i një prifti jezuit, unë jam, sigurisht, dhe kam qenë gjithmonë një ateist”, ai preferoi të quhej një agnostik dhe ateist militant i papëlqyer. Ai i konsideronte njerëzit që antropomorfizonin Zotin si “naivë”. Etikisht, ai ishte një humanist laik.
Pikëpamjet e Ajnshtajnit për Zotin, jetën dhe universin janë të ndërlikuara. Ama, përkushtimi i tij ndaj shkencës dhe arsyes e shtyu atë në botëkuptimin racionalist të Spinozës dhe në një shkëputje nga feja e organizuar. Idetë e tij ia vlen të studiohen, siç janë botëkuptimet e shumicës së gjenive. ©Marrë nga Big Think, përshtati në shqip LAPSI.al