“A ia vlente?”- Flori dhe Klajdi tregojnë historinë personale me një këngë që na preku të gjithëve
Këtë të dielë është mbyllur faza e parë e konkurrimit në “Kënga Magjike 2021” dhe ëmbëlsira e ruajtur për në fund ishte “E para”, kënga e Klajdi Harunit dhe Flori Mumajesit. Kjo këngë që na preku të gjithve mban brenda historinë personale të dy artistëve. Klajdi tregoi se përveç kësaj, Flori që e konsideron “vëlla” e ka krijuar për të dhe mbi të gjitha do e këndojnë bashkë. “Këtë vit e kam zemrën në pjatë!”- shtoi ai, duke theksuar se nuk e sheh veten në garë dhe ndryshe nga çdo vit nuk është aq i emocionuar dhe i përfshirë shpirtërisht.
“Kjo këngë ka një histori timen personale, për tre arsye. E dyta është që vëllai im e ka krijuar për mua dhe e treta që do ta këndojmë të dy bashkë me vëllain tim. Do doja të shtoja diçka shumë të rëndësishme në çdo edicion të “Kënga Magjike” kam qenë shumë i emocionuar, shumë i përfshirë shpirtërisht, por këtë radhë e them me sinqeritetin më të madh që e kam zemrën në pjatë. As e shoh veten në garë, i falenderoj të gjithë artistët që do më votojnë apo nuk do më votojnë i jam mirënjohës…”-tha Klajdi.
Sigurisht, ata janë kujdesur që si çdo herë të përcjellin një mesazh të fortë, sidomos në këto kohë të vështira. Flori nënvizoi se përmes “E para” duan tu thonë njerëzve mos të dorëzohen dhe “Motivohuni”.
“Kjo është arsyeja që kemi marrë pjesë, është një gjë shumë personale e Klajdit, e imja, e jona e përbashkët. Është edhe një mesazh që mund ta përçojnë artistët në këto kohë të vështira. Për të pasur një kujtim ne të dy bashkë, për t’i thënë njerëzve motivohuni dhe mos u dorëzoni.”– përfundoi Flori.
Kujtojmë se në festivalin “Kënga Magjike 2018”, Flori fitoi çmimin e madh me këngën “Plas” dhe aktualisht është kompozitor i këngës fituese ende në fuqi. Ndonëse çunat thanë se këtë vit nuk e shohin veten në garë, pasi dëgjuam këngën mendojmë se janë ndër pretendentët kryesorë. Një gjë është e sigurtë, zemrat tona i morën me këtë këngë.