A është seksi i lirë në ditët e sotme?
Nga Doreada Mio
Dikur në adoleshencën dhe rininë time, diku nga vitet ’90, të thoje dashuri nënkuptonte edhe seks. Në vitet pa internet, lënda e edukatës seksuale në shkollë as që mendohej. Të flisje në shtepi më mirë t’i bëje gropën vetes. Madje qarkullonte dhe një barcoletë me seks dhe me hithra që të dyja besoj i lidhte vetëm përcëllimi. Mbetej kryesisht shoqëria. Për seksin flitej gjithmonë
me zë të ulët dhe nëse kishe në grupin e shoqeve të gjimnazit ndonjë të guximshme që tregonte që “e kishte bërë”, ajo rrethohej me një aureolë admirimi e tmerri njëkohësisht. Ishte ngjarje nëse dikujt i binte në dorë ndonjë kasetë porno, kuptohet cilësi “e shkëlqyer”, duhet të bëje cirk të organizoheshe si e ku do të shihej.
Por, ndërkohë kishte ndjenja e pasion të zjarrtë, flaka e të cilit duket sikur është katandisur tek një emoji zjarri që qarkullon dendur në story-t e Instagramit. Nëse sot do të përdorësh shprehjen “Të bësh dashuri”, do të të
shohin të llahtarisur sikur vjen nga një planet tjetër apo sikur të jesh një dinozaur që flet.
Por a është sot seksi i çliruar apo i lirë?
Në vitet me internet, informacion shumë, madje dhe me lëndë edukate seksuale në shkollë, e cila shumicën e herëve bëhet sa për të kaluar radhën dhe nuk merret seriozisht, me prindër mendjehapur, të kesh ndjenja është shumë turp. Seksi sot, vetëm në dukje është “çliruar”, ndërsa në realitet është në mëshirën e disa tiranëve.
Pamja e trupit: së trupit. Një trup që nuk është më burim energjie seksuale, pasioni, por burim performance, ku vëmendja përqendrohet në sasinë e muskujve apo madhësinë e vitheve dhe të gjoksit, për të mos folur për përsosmërinë vdekjeprurëse të kërthizës. Këto, jo gjithmonë natyrale, por falë ndërhyrjeve dhe operacioneve plastike për t’juu përshtatur standardeve estetike sa absolute, aq edhe të paarritshme.
Diktaturës së sasisë: Seksi është bërë i palumtur, sepse nuk
është më spontan, i natyrshëm, por mbytet nga numrat: “sa herë”,
“sa kohë”, “sa partnerë”. Dhe kjo nuk është liri, është burg. Sot seksi për mendimin tim është i burgosur.
Do të doja që të rinjtë mos mjaftoheshin me marrëdhënie pa marrëdhënie, (one night stand) të një nate pas konsumit të disa gotave apo edhe lëndëve, do të doja të investonin më shumë në lidhje të gjata besimi ku merret, por edhe jepet vetja , me zjarr dhe me pasion. Atëherë seksi mund të kthehet sërish një burim gëzimi autentik. Do të doja të mos kishin frikë të ndienin dhe le të triumfojë dashuria, ajo e vërteta, ku siç thoshte Friedrich Nietzsche është shpirti që përqafon trupin.