A E DINI QË FATOS KONGOLI ËSHTË PROPOZUAR PËR ÇMIMIN NOBEL?

Shkrimtari i madh Fatos Kongoli sot feston ditëlindjen e 80-të. Në 80-vjetorin e Kongolit, anëtar i Akademisë së Shkencave do të organizohet një veprimtari në nderim të tij, nga Botimet “Toena” dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Ishte pikërisht kjo datë, që solli në kujtesë të publikut nominimin që në vitin 2022 Kryetari i Akademisë së Shkencave akademik Skënder Gjinushi i bëri Kongolit për Nobel.

Gjinushi i shkroi një letër Akademisë Suedeze të Shkencave, në emër të Kryesisë, për ta nominuar akademik Fatos Kongolin, shkrimtar me njohje kombëtare e ndërkombëtare, si kandidat për çmimin “Nobel”.

Bashkë me të edhe kandidatin tradicional prej më shumë se 30 vjetësh Ismail Kadarenë, të ndjerin Luan Starova, dhe Carmine Abate-n, shkrimtar arbëresh në letërsinë bashkëkohore italiane.

Letra e Skënder Gjinushit ku e propozon Kongolin për çmimin Nobel

Kam nderin të paraqes më poshtë nominimin për konkursin e çmimit Nobel në Letërsi.

Unë propozoj shkrimtarin shqiptar Fatos Kongoli, një nga autorët më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe, të botuar dhe të vlerësuar në vendin tonë dhe jashtë saj. Ai studioi dhe u diplomua për matematikë, por që në fillimet e tij të karrierës punoi si redaktor dhe gazetar letrar. Dhe në një kohë shumë të shkurtër ai ia kushtoi energjitë e tij tërësisht punës krijimtarie, në fillim si tregimtar i dalluar dhe gjatë gjithë viteve të jetës së tij si romancier. Kongoli është autor i 16 romaneve, shumë prej të cilëve janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë (në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Britani të Madhe, Spanjë, Japoni, Poloni, Sllovaki, Serbi dhe në Esperanto). Shumë prej romaneve të tij janë ribotuar.

Vepra e Fatos Kongolit tërhoqi menjëherë vëmendjen dhe emocionet e lexuesve shqiptarë dhe të huaj, sepse pasqyronte dramën e individit në periudhën e diktaturës dhe tranzicionit. Përballja e qytetarit me absurditetin e jetës, dramat e tij të brendshme, depërtimi në psikikën e njerëzit e shtypur, krijimi i antiheroit, në kundërshtim me konceptin e realizmit socialist, etj., përfaqësojnë subjektet kryesore krijuese të Kongolit. Boshti i gjithë veprës së tij është kriza ekzistenciale e shqiptarëve në periudhën e diktaturës dhe tranzicionit, e cila ende paraqitet si e pakapërcyeshme.

Paradokset njerëzore, ironia e realitetit të kaluar dhe situatat absurde, synimi për të çliruar njeriun e traumatizuar nga kriza e identitetit, nuk e kthejnë romancierin Kongoli në një shkrimtar të vrazhdë; përkundrazi, me një ndjenjë të thellë humaniste, vepra e tij thekson se shpëtimi i njeriut vjen nga dashuria njerëzore. Tema e absurdit në shumicën e romaneve të tij, si dhe depërtimi në pjesën e fshehtë të shpirtit njerëzor ka bërë që shtypi francez ta përshkruajë atë si një përzierje të Beckett-it dhe Dostojevskit. Por më i dukshëm është paralelizmi i personazheve Kongolis me filozofinë e absurdit në veprën e Albert Camus.

Romanet e F. Kongolit janë një konfirmim i prozës moderne shqiptare, e cila i kapërcen kufijtë, duke hyrë në universin e letërsisë bashkëkohore botërore. Për këto karakteristika thelbësore Fatos Kongoli është vlerësuar vazhdimisht me disa çmime prestigjioze kombëtare, si dhe ndërkombëtare, si çmimi ndërkombëtar Balkanika (Sofje-Bullgari, 2002). Mban titullin Mjeshtër i Madh (Tiranë 2012) dhe titullin Kalorësi i Legjionit të Nderit (Chevalier de Légion d’Honneur, Paris 2010). Presidenti i Francës u shpreh për Kongolin: Vendi im e vlerëson thellësisht madhështinë e punës suaj. Shkrimi i letërsisë është një art vuajtjeje dhe vetmie.

ObserverKult