A e dini pse ekipi ynë i preferuar, na duket gjithmonë më i forti?
Faulli? Nuk ishte. Penalltia ndaj kundërshtarëve? E dhuruar nga gjyqtari. Për të mos përmendur atë golin në minutën e 90:më i bukuri në historinë e futbollit. Kur është fjala për të gjykuar “bëmat” e ekipit të zemrës, e dimë se nuk jemi kampionë të objektivitetit.
Por e kemi një alibi të shkëlqyer:në origjinë të mendimeve tona të pabarabarta, ka një paragjykim (ose më saktë një gabim në gjykim) në perceptimin që ka truri mbi lëvizjet në fushë të lojtarëve për të cilët bëjmë tifo.
Një ekip studiuesish nga Shkolla e Psikologjisë e Universitetit të Brisbejnit dhe Institutit të Trurit në Kuinslend të Australisë, ndanë 24 vullnetarë në dy ekipe dhe zgjodhën dy lojtarë, nga një për secilin ekip, që të luanin ndaj njëri-tjetrit në një garë konkurruese.
Të gjithë subjekteve u kërkua më pas të vlerësonin shpejtësinë e lëvizjeve të duarve të të dy njerëzve të zgjedhur. Aktiviteti i trurit të vullnetarëve të përfshirë në procesin e gjykimit, u monitorua përmes imazheve të rezonancës magnetike funksionale (fMRI).
Siç pritej, secili vullnetar tentonte t’i cilësonte si më të shpejta dhe efektive veprimet e lojtarit në ekipin e tij. Në veçanti, lëvizjet e shokut të skuadrës konsideroheshin më të shpejta se sa një fraksion sekonde, në krahasim me ato të kundërshtarit, kur në të vërtetë ato ishin lëvizje identike dhe në sinkron të përkryer.
Truri funksionon ndryshe
Skaneri fMRI tregoi një përgjigje të ndryshme të trurit, kur subjektet vëzhgonin performancën e shokut të tyre të skuadrës, ndërsa asnjë aktivizim anormal nuk u vërejt gjatë performancës së kundërshtarit.
Për më tepër, nuk u vërejtën ndryshime thelbësore në aktivizimin e trurit të subjekteve të dy ekipeve gjatë procesit të vlerësimit të performancës së dy lojtarëve. “Kjo duket se sugjeron që ne në mënyrë të pavetëdijshme, ne i perceptojmë veprimet e ekipit tonë të preferuar ndryshe nga ato të të tjerëve”– shpjegon Paskal Molenberg, koordinator i kërkimit.
“Pra ne jo vetëm që vendosim në favor të veprimeve të ekipit tonë, sepse mendojmë se ai është më i miri. Por meqë ndihemi të lidhur me atë ekip, truri ynë tenton të vlerësojë lëvizjet e tij më të favorshme, sesa ato të ekipeve kundërshtare”-thotë ai.
Sipas studiuesve, ky studim mund të ndihmojë në shpjegimin e episodeve të diskriminimit që ndodhin jashtë fushës së lojës, siç janë rastet e konfliktit midis grupeve të ndryshme nga kombësia, raca ose gjinia. / Focus – Bota.al