A duhet të vishen këpucët me takë gjatë shtatzënisë?

Në një pjesë të komenteve në postimet e fundit të moderatores Arbana Osmani në Instagram, vihen re sugjerime dhe/ose kritika që thonë se “nuk duhet të veshë këpucë me takë” për shkak të shtatzënisë. Çfarë thonë ekspertët?

Veshja e këpucëve me takë gjatë shtatzënisë mund të mos jetë zgjedhja më e sigurt. Nuk janë vetë takat ato që janë të pasigurta: gjatë muajve të shtatzënisë, qendra juaj e gravitetit zhvendoset dhe ligamentet lirohen dhe këta faktorë – të kombinuar me takat e larta – mund të krijojnë rrezik për rënie. Përveç rënieve të mundshme, mavijosjeve dhe kockave që mund të dëmtohen, rënia gjatë shtatzënisë ju vë në rrezik për trauma në bark, gjë që mund të të jetë e rrezikshme për fëmijën.

Dr. Suruchi Desai, gjinekologe, tha për Express Parenting se zakonisht grave shtatzëna u kërkohet të shmangin veshjen e këpucëve me takë të lartë gjatë shtatzënisë.

“Në tremujorin e parë ata mund t’i veshin, ndoshta për pak kohë, por për shkak të progesteronit gjatë shtatzënisë, mund të ketë një lakueshmëri në ligamente dhe kyçe. Ato përjetojnë gjithashtu shtim në peshë, së bashku me ënjtje. Mund të ketë edhe njëfarë paqëndrueshmërie të kyçit; qendra gravitacionale e shtyllës kurrizore është e përkulur ndonjëherë. Prandaj, veshja e takave mund ta vështirësojë ecjen,” tha ajo.

Dr. Sushma Tomar, konsulente e obstetrikës dhe gjinekologjisë, u shpreh: “Në shtatzëninë e hershme, mund të vishni këpucë me takë që nuk shkaktojnë probleme me ekuilibrin gjatë ecjes. Në shtatzëninë e vonë, pozicioni i barkut ndryshon dhe ndodh animi i legenit. Kur qendra e gravitetit ndryshon, mund të shkaktojë dhimbje shpine, dhimbje në këmbë dhe ndonjëherë të stimulojë dhimbje të parakohshme të lindjes.”

Ajo shtoi se mbajtja e takave të larta gjatë shtatzënisë mund të sjellë komplikime si për nënën ashtu edhe për foshnjën. “Nëse dikush dëshiron t’i veshë, duhet të zgjedhë këpucë me platformë të ulët që janë të rehatshme dhe nuk shtrëngojnë këmbët.”

Megjithatë ekspertët thonë se mbajtja e tyre nuk është e rrezikshme në rast se gratë shtatzëna janë në muajt e parë të shtatzënisë (si Arbana), ecin në vende të sigurta dhe nuk qëndrojnë shumë gjatë në këmbë.