A duhet të shqetësohem nëse ai nuk poston foto me mua në Instagram?

Ne jemi të ndryshëm dhe si të tillë, kemi mendime të ndryshme për çfarë do të postojmë në rrjete sociale dhe kë do të postojmë. Djemtë, ndryshe nga vajzat të cilat herë pas here mund të postojnë një foto cute me partnerin, janë më të prirur që të mos postojnë foto të të dashurës në Instagram. Nëse ai i yti është një nga këta të fundit, a duhet të shqetësohesh?

Arsyet mund të mos jenë shumë të thella. E dimë që në kokën tënde mund të ketë ndonjëherë dyshime, por duhet të keni parasysh që shumë njerëz kanë një natyrë “vetë-ruajtëse” dhe i kanë siklet postimet e dedikimet në publik.

Për të tjerët, arsyeja kryesore lidhet me privatësinë. Ai nuk e ndjen të nevojshme t’u tregojë të tjerëve se është në një marrëdhënie, se cila është partnerja e tij e kështu me radhë.

Madje, psikologët pajtohen se postimi i tepërt në rrjete sociale nuk është gjithmonë një shenjë e një marrëdhënieje të përsosur, pavarësisht se mund të duket si e tillë. Sipas hulumtimit të publikuar në Personality and Social Psychology, postimet e shumta të një çifti mund të jetë një shenjë se njëra ose të dyja palët ndihen të pasigurta në marrëdhënie. Me fjalë të tjera: ai çift që poston gjithmonë foto shpreson të vërtetojë diçka.

Pra, nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Rëndësi ka se çfarë ndodh përtej Instagrami: A ka dashuri, respekt dhe përkushtim?

Anabelmagazine