A do të kthehet Elsa Lila të jetojë ndonjëherë në Tiranë?
Na ndan edhe një ditë nga koncerti i parë recital i këngëtares së mirënjohur, Elsa Lila. Pas një shkëputjeje të gjatë disavjeçare nga skena shqiptare, Lila pritet të ndezë mbrëmjen e nesërme Pallatin e Kongreseve, aty ku edhe nisi rrugëtimin e saj artistik. “Finalmente Elsa” është projekti që artistja e kishte ëndërruar prej kohësh dhe që në një mënyrë simbolizon për të një urë lidhëse mes së shkuarës dhe të tashmes së saj në muzikë.
E sapoardhur në Tiranë për të zhvilluar provat e fundit, së bashku me ekipin e muzikantëve italianë, ajo ka dhënë një konferencë për shtyp.
“Finalmente Elsa” pse ky emër? Sepse rishfaqja ime në festivalin e një viti më parë në RTSH, solli si reagime të njerëzve që thonin “O Elsa më në fund u riktheve”. Ndaj s’mund ta quaja ndryshe koncertin tim, veçse kështu. Muzika që unë bëj dhe zëri që unë kam, janë mjetet më të forta, përmes së cilave unë mund të shprehem ashtu si dua. Kryefjala e këtij recitali do të jetë muzika dhe miqësia. Të gjithë ato që do të marrin pjesë në këtë projekt, duke filluar nga muzikantët që kanë ardhur nga Italia dhe deri tek organizatorët, Red Cloud, po e bëjnë më shumë dashuri këtë koncert, për mua dhe për muzikën time”,-ka shpjeguar Elsa Lila, duke shtuar më tej se edhe pse nuk ka qenë shumë e pranishme në skenat shqiptare, ajo s’ka rreshtur kurrë së bëri muzikë e projekte artistike.
“Muzika vdes me njeriun jo me karrierën. Zhdukja apo ridukja tregon që unë e bëj për pasion muzikë e jo me llogari. Në momente që nuk kam qenë prezente e kam ndjerë të domosdoshme të mos shfaqesha, por kjo nuk do të thotë se nuk kam kënduar apo bërë muzikë. Do të ndaloj se bëri muzikë vetëm kur te vdes, muzika është jetë.”-rrëfeu ajo.
E pyetur nga gazetarët nëse do të kthehet ndonjëherë për të qëndruar gjithmonë në Shqipëri, Lila ka sqaruar: “Nuk mundem të transferohem në Shqipëri për arsye familjare. Unë ende jetoj midis Shqipërisë dhe Italisë, por kam një vajzë të vogël, Evita, që shkon në shkollë atje”.