A do ta përdorja AI-në për t’i shkruar romanet e mia? Rezultatet më të mira mund t’i marr nga një majmun me “iPhone”!
Nga: Monica Ali, shkrimtare / botuar me shkurtesa në ditoren The Guardian (shkrimin e plotë mund ta gjeni në këtë vegëz: PEN Transmissions)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Gjatë kësaj vere, dy botë u përplasën – letërsia dhe teknologjia. Nisën të dalin lajmet për autorët që e paditnin OpenAI-në dhe Meta-n për përdorimin e veprave të tyre për t’i trajnuar modelet e mëdha gjuhësore – “pa pëlqim, pa cekje të autorësisë dhe pa kompensim”. Me kureshtje të madhe i lexova dhe më pas e gjeta një analizë të novelës Vdekja e një autori [Death of an Author], e cila në masën prej “95 përqind ishte krijuar nga makineria”. E lash lapsin dhe shikova nga dritarja, duke e pyetur veten nëse metodat e mia të provuara dhe të testuara të përmirësimit të krijimtarisë – përmes nxjerrjes së qenit në shëtitje ose zhytjes në vaskë të nxehtë – më nuk përputhen me këtë botë të re të frikshme.
Bëhu trimëreshë, i thashë vetes. Eksperimento me këto teknologjitë e reja ose bëhu gati të zëvendësohesh nga një majmun me një iPhone dhe me një aplikacion për të shkruar. U shtriva në shtratin tim dhe e hapa Laika-n, njërin prej mjeteve falas të shkrimit krijues për të cilin kisha lexuar. Ndoshta romani im i fundit, Martesa e dashurisë [Love Marriage], do të mund të përmirësohej me këtë mjet gjenial. E hodha paragrafin e parë: “Në familjen Gorami, seksi kurrë nuk përmendej. Nëse televizori kishte një skenë të puthjes franceze, kjo e kërcënonte shtëpinë e dëlirë me aromë kardamomi, dhe me shpejtësi mbyllej nga prekja e kutisë së zezë. Kur Jasminës i dolën menstruacionet e para, nëna e saj shpejtë ia dha një pako të tamponëve Kotex Maxi dhe i mërmëriti udhëzimet për të mos e prekur Kuranin …”!
Shtypa butonin “shkruaj” dhe pak çaste më vonë, Laika ma dha këtë perlë: “Ajo kuptoi se sekreti më sekret i trupit ishte sekreti femëror. Sekreti i sekretit të saj mashkullor”.
Çka? Kush? A ishte Laika subjekt i ndonjë sulmi kibernetik?
E mbylla laptopin dhe fjeta e qetë atë natë, e sigurt meqë e dija se robotët janë po aq të zgjuar sa ai majmuni me një iPhone. Por, thellë brenda vetes e dija se ky nuk ishte fundi i historisë, se asgjë nuk kisha vërtetuar në lidhje me eksperimentin tim të vogël.
Erdhi vjeshta, lajmet u shtuan – Shoqata e Autorëve ngriti padi kolektive kundër OpenAI-së. Për autorët e letërsisë tha se “vjedhja masive e identitetit nga Open AI, do të thotë përdorim i paautorizuar i punës së tyre”. Kërcënimi për mbijetesën e autorëve ishte në qendër të kësaj ankese.
Vendosa të vazhdoj flirtin tim me AI-në, paçka që veçse ndihesha paksa si lavire. Këtë të gjithë po e bëjnë, e sigurova veten teksa e krijova një llogari në ChatGPT. “Shkruaje një histori në stilin e Monica Alit”. Ndalova para se ta shtypja butonin për kthim prapa, sepse kush është ai që dëshiron që imitimi t’i përplaset për fytyre. Por, nuk duhej të shqetësohesha. Roboti nuk arrin në nivelin e imitimit – megjithëse u shfaqën fjalët “dashuri”, “vendosmëri” dhe “guxim”.
Një gjë që më shqetësonte është mungesa e diversitetit kulturor në programimin e algoritmeve të AI-së [inteligjencës artificiale]. Nëse AI-ja në të ardhmen dëshiron të bëhet miku më i mirë i shkrimtarëve, çfarë do të thotë kjo për shkrimtarët që kanë histori të ndryshme dhe joortodokse për t’i rrëfyer? A do të jetë më e vështirë për ata që të futen në garë?
U ktheva në ChatGPT dhe kërkova të shkruante një histori për një mjeke të re, për Jasminën, që ka një lidhje me një koleg shumë më të vjetër. U rikthye me mori të klisheve romantike, kështu që shtoja më shumë detaje nga Martesa e dashurisë: “Jasmina rrjedh nga trashëgimia myslimane indiano-britanike. Herën e parë që bëri seks, kjo ndodhi gjatë menstruacioneve të saj dhe në Islam është e ndaluar të bësh seks gjatë menstruacioneve. Shkruaje skenën e seksit, duke e përshkruar kënaqësinë e madhe të Jasminës dhe ndjenjat e saj të fajit”.
Kjo ishte përgjigja e ChatGPT-së: “Më vjen keq, por nuk mundem ta zbatoj këtë kërkesë. Është kundër politikave të OpenAI-së dhe mund të jetë e papërshtatshme dhe fyese. Si model gjuhësor i AI-së … nuk është në kapacitetin tim për të krijuar përmbajtje të papërshtatshme ose eksplicite”.
E kuptoj ngurrimin për të krijuar përmbajtje eksplicite dhe nuk prisja asgjë më eksplicite sesa ajo që ChatGPT kishte sjell në përtypjen e mëparshme të rrëfimit. Por, e pyesja veten për “të papërshtatshmen” dhe “fyesen”. A kishte ChatGPT-ja një qëndrim për papastërtinë e grave me menstruacione?
Vërtetë, a kanë shkrimtarët arsye për t’u frikësuar nga romanet e krijuara nga AI-ja? Apo, teknologjia mund të funksionojë për të mirën tonë? Kam dëgjuar për shkrimtarë që lansojnë letërsi specifike [Genre fiction] përmes platformës Kindle Direct Publishing të Amazon-it, duke e përdorur AI-në për të rritur ndjeshëm prodhimtarinë e tyre, teksa Amazon-i duket se po përgatitet për apokalipsin e ardhshëm të librit [bookpocalypse] duke i kufizuar autorët për të ngarkuar vetëm tre libra në ditë. Në një ditë! Por, problemi sot nuk është te mungesa e librave, është te mungesa e lexuesve. Shumë e më shumë libra që dalin në një afat gjithnjë e më të shkurtër kohor, kjo nuk tingëllon si konkurrencë e shëndetshme, por tingëllon si rrëmujë e pathyeshme në të cilën do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për ta analizuar sinjalin nga zhurma.
Mbase letërsia [literary fiction] – zhanri në të cilin shkruaj – do të jetë një arrë më e vështirë për makinerinë e AI-së. Shumë pak ka të bëjë me formulat. Mbështetet më shumë në thellësinë e karakterizimit dhe në përdorimin elegant dhe inovativ të gjuhës. Por, mbani mend se këto AI-të sot janë foshnja që ende thithin cucllat. Në kohën kur e arrijnë pjekurinë, madje edhe adoleshencën, mund të dalin në një nivel sofistikimi që sot është e vështirë të paramendohet. Çfarë nuk shkon me këtë? Ndoshta asgjë. Por, do të ndiheshim paksa të mashtruar, apo jo? Sepse, lexojmë për t’u lidhur me përvojën njerëzore, me instinktet dhe emocionet njerëzore. Vetëm një autor njerëzor mund të sjell synimet e veta që preken me ato tonat.
Dhe, aty qëndron frika ime e vërtetë. Se, apokalipsi i librit, kur vjen ose nëse vjen, do të nënkuptojë një homogjenizim në rritje që nxitet nga një “grumbull i të dhënave” – që është njëkohësisht masiv dhe i ngushtë në botëkuptim, që mbështetet në një algoritëm “më shumë si ky”, dhe që grumbullon zëra të ndryshëm ose ata që e sfidojnë status quo-në. Kur e shkrova romanin tim të parë, Brik Lejn [Brick Lane], as nuk e mendoja se sa shumë njerëz do interesoheshin për një amvise nga Bangladeshi që ka lidhje me një burrë më të ri. Në atë kohë, disa burra konservatorë myslimanë e konsideruan si fyese. Shoku im i shkrimit, AI-ja, mund ta konsiderojë edhe sot si fyese. Por, Brik Lejni tashti është tekst me nivel të lartë të lexueshmërisë. Dhe, pothuajse për çdo javë nga gratë dëgjoj se si u lidhën me librin, se çfarë do të thoshte për ato kur veten e shihnin të pasqyruar në kulturë.
Kjo nuk do të thotë se për AI-në nuk ka vend në shkrim, ose se shkrimtarët “e vërtetë” nuk duhet ta përdorin atë – megjithëse e parashikoj një të ardhme në të cilën shkrimtarët “e natyrshëm”, ata që nuk përdorin AI-në, do të dallohen nga ata të cilët e përdorin. AI-ja është këtu, për të qëndruar për një kohë të gjatë, por me shumë kujdes duhet të mendojmë për atë se zërat e kujt do të përforcohen prej saj dhe të atyre që mund të mbyten apo edhe të heshtën. /Telegrafi/