A ishte kjo ishte poezia më monumentale e Petrit Rukës?

Një poezi e cila përmbledh gjithë ankthet e botës së sotme, veçanërisht asaj shqiptare, mund të konsiderohet si më monumentalja në krijimtarinë poetike të Petrit Rukës.

Artisti tepelenas ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare nga një sëmundje zemre, duke lënë pas një karrierë gjurmëlënëse në letërsi e kinema.

Ndaj, është momenti që të veçohet prej tij një prej perlave që ai ka lënë në dellin poetik – “Ne ikëm baba…”

Baba, ne ikëm, shtëpinë e braktisëm…
Një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota,
Dhe foton tënde nga muret e zbritëm,
Si dryn një palë lot vendosëm tek porta…

Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë,
Në metropole që mblidhen si punë e iriqve,
(E ke parasysh kur e vjelin një pemë
Dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!)

U ngjeshëm këtej nëpër halle të reja,
E humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën,
Gjithçka e gatshme në dyqane luksoze,..
Dyqan psikologu, që të kallais dhe zemrën…

Ne ikëm dhe varrin ta kyçëm në një video,
Të dielën të takojmë në xhamin vizual,
Me mend i vemë lulet, dy lotë, një cigare,
Jetojmë me simbol…në një botë me manual.

Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete,
Tani ne gjithçka e mbajmë në një kuti,
Kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,
Në xhamin e tij takon çdo njeri…

Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasëm,
Puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent,
Dhe nënën e qan nga mijra kilometra
Kur e fusin në varr, me video konferencë.

Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë,
Këtu lart u ndamë për jetë e për mot,
S’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
Qëllova i dobët dhe mbytem në lot.

Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,
Nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi,
Një kohë arixhinjsh jeton sot gjithë bota,
Ik edhe thur kanistra pikëllimi…