Nga njohja me Ismailin te kthimi në Tiranë, rrëfimi i Helena Kadare: Jetuam gjatë si çift për shkak të letërsisë
Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka lënë përfundimisht Parisin, ku kaloi gati 30 vjet të jetës së tij për t’u rikthyer në Shqipëri.
Tashmë ai i kalon ditët mes Tiranës dhe Durrësit. Praninë e tij në Tiranë e kanë vënë re shumë kryeqytetas, që frekuentojnë vendet që preferon më së shumti shkrimtari, por këtë fakt e ka pranuar edhe bashkëshortja e tij, Helena, sipas së cilës ata kanë qenë disa javë më parë në Paris për të marrë sendet e tyre personale dhe për të shkëputur qiranë në apartamentin ku jetonin prej vitesh.
Këtë fakt ajo e ka rrëfyer në një takim të zhvilluar në Durrës, me titullin “Letërsia dhe turizmi”, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Bashkia e Durrësit. Ky takim u zhvillua në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, nën praninë e kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, gazetarit dhe shkrimtarit Bashkim Hoxha, drejtores së QKLL, Alda Bardhyli, gazetares dhe studiueses Monika Stafa e dashamirës të shumtë të letërsisë.
Znj. Kadare takohej me lexuesit e Durrësit pas 9 vitesh edhe pse i dukej si vetëm një muaj më parë, kur ishte takuar me ta dhe kishte shijuar bisedën dhe pyetjet e zgjuara të të pranishmëve.
RIKTHIMI NË TIRANË
Kanë kaluar gati 30 vjet qëkur shkrimtari Ismail Kadare do të trondiste gjithë opinionin publik të Shqipërisë e për më tepër pushtetin e kohës, me vendimin për të kërkuar azil politik në Francë.
Diktatura komuniste ishte në grahmat e fundit, por dukej sikur udhëheqësit komunistë po përpiqeshin ta mbanin me thonj pushtetin e kalbëzuar. Dhe, më tepër se një shpëtim personal, Kadare kreu një akt politik. Shkrimtari më i njohur shkrimtar, në botë po largohej nga një regjim, që kishte refuzuar t’i hapte portat Perëndimit.
Çka do ta bënin vetë shqiptarët me ikjet masive drejt Italisë. Pas 3 dekadash, Kadare vendos të rikthehet përfundimisht në Tiranë, edhe pse viteve të fundi ai ka qenë i pranishëm më shpesh se më parë.
Helena Kadare
Gjatë takimit me lexuesin durrsak, Helena Kadare, e ftuara speciale e këtij takimi, u shpreh:
“Ishim në Francë përpara tri javësh, mblodha gjithë dorëshkrimet dhe librat e Ismailt, prisha edhe qiranë që jetonim në apartament dhe u kthyem përfundimisht këtu. Me shumë gëzim, madje”.
Ajo tregoi ndjesinë që i kishte lënë Parisi gjatë vizitës së saj të fundit, teksa shprehu kënaqësinë të ishte e pranishme në një koncert në Durrës, çka nuk e përjetonte prej muajsh.
“Parisi ishte si një fantazmë, çdo gjë ishte e mbyllur, errësirë, as bare, as restorante. Gjithçka që ishte lezeti i Parisit ishte zhdukur. Thashë: të keqen e Tiranës, sa qejf që bëhet në Tiranë. Dhe e pritëm me padurim kthimin në Tiranë e tani në kohën e vapës, në Durrës. Kështu që kam qenë pranë jush këto kohë”, u shpreh Helena Kadare.
NJOHJA ME ISMAIL KADARENË
Jo rrallëherë, shkrimtarja Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit të madh, ka rrëfyer njohjen me bashkëshortit, por duket se sa herë u rikthehet atyre viteve, ajo merr nuancë të tjera. Kanë kaluar shumë kohë që atëherë, shumë ujë ka rrjedhur, shumë histori, shumë shqetësime, që mbushnin jetën e një shkrimtari në shënjestër të regjimit… Janë aq shumë, saqë për Helena Kadarenë duket si një shekull. E nxitur nga pyetja e gazetarit Bashkim Hoxha se çfarë ishte letërsia për të, ajo do të kthehej pas në kohë.
“Letërsia është kuptimi i jetës sime, gjëja më e mirë që kam pasur në jetën time. Ju thatë se nuk jam marrë me veten time, por me punët e tim shoqi, por ishte letërsia që më lidhi me të”, tregon Helena Kadare, e para shkrimtare femër, që përballoi gjininë e romanit me veprën “Një lindje e vështirë”. Sipas saj, ishte pikërisht letërsia që e njohu me Ismailin, ashtu si qe po letërsia që bëri që lidhja e tyre të ishte aq e gjatë.
“Që kur isha nxënëse shkolle, kam shkruar tregimet dhe poezitë e para, sigurisht shumë të dobëta, por ato tërhoqën vëmendjen e shkrimtarit. Ai nuk ishte këtu, ishte në Moskë student dhe ai më uroi për tregimin që kisha botuar te ‘Zëri i Rinisë’ dhe për mua e mori vesh gjithë gjimnazi që mora një letër prej tij.
Nga kjo shkrepje nisi udhëtimi ynë shumë i gjatë. Në Francë, të gjithë miqtë që takonim ishin të ndarë, të rimartuar dhe kur na pyesnin ne se sa vite kishim bashkë, u thosha 100 vjet, aq e gjatë dhe me histori është jeta jonë. Pra, një çift që jetoi gjatë dhe mendoj që shkaku kryesor ka qenë letërsia”, tha ajo.