Hidh një h’app për të ecur përpara!
Fondacioni Vodafone Albania prezanton aplikacionin informues dhe këshillues virtual, për çështjet e dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore.
“Hidh një h’app! Është thirrja që jep shpresë dhe guxim për këdo që gjen veten, apo të njohur e të afërm, në retorikën e videos ndërgjegjësuese.
Fenomenet e dhunës në familje, apo asaj me bazë gjinore, mbeten problematika kryesore të shoqërisë sonë. Vetëm në muajt e fundit, raste të rënda kanë tronditur opinionin publik dhe kanë ngritur shumë pikëpyetje mbi hapat që duhen ndjekur, për të ndikuar në uljen e rasteve të dhunës në familje. Sipas statistikave, 1 në 3 persona në Shqipëri është ose ka qëne pre e formave të ndryshme të dhunës.
Vodafone Albania, si një prej kompanive me kontribut të lartë në kauzat sociale në vend, ka vënë në dispozicion teknologjinë si mjet për të çuar ndihmën, këshillimin dhe informacionin kudo nëpër Shqipëri. Nëpërmjet Fondacionit Vodafone Albania, Vodafone sjell në Shqipëri një aplikacion, informues dhe këshillues virtual për çështjet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Aplikacioni ndahet në dy kategori: informues dhe këshillues, për personin që mund të jetë subjekt dhune dhe për këdo që dëshiron të ndihmojë një të afërm që mund të ndodhet në një situatë dhune. Aplikacioni përmban një udhëzues me informacion të plotë për rastet e dhunës, hapat që duhen ndjekur për të dalë nga situata, numrat e shërbimeve të specializuara që mundësojnë mbështetje, si dhe qendrat, OJF-të e këshillimit, strehimit dhe integrimit në shoqëri, për viktimat e dhunës, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Aplikacioni i zhvilluar nga Hestia dhe Fondacioni Vodafone gjeti mbështetjen dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale, Policisë së Shtetit dhe UN Women Shqiperi. Grupi i punës me pjesëmarrjen e këtyre institucioneve mundësoi përmbajtjen e këtij aplikacioni për t’i hapur rrugë këshillimit dhe mbështetjes edhe virtualisht për këdo.
Një pyetësor i shkurtër brenda aplikacionit ndihmon përdoruesit të vlerësojnë sigurinë e marrëdhënies në të cilën ata janë përfshirë. Gjithashtu, aplikacioni përmban informacion në lidhje me forma të ndryshme të abuzimit në një marrëdhënie, format e dhunës ne familje dhe asaj me baze gjinore, mekanizmat e mbështetjes në dispozicion për këdo që do të dalë nga një situatë dhune apo nga një marrëdhënie abuzive, si dhe për këdo që do të mbështesë, ndihmojë dhe informojë një mik, shok a të afërm që ndodhet në një situatë të vështirë.
Aplikacioni është falas dhe i disponueshëm në anglisht dhe shqip në App Store dhe Google Play Store.
Të interesuarit mund të telefonojnë në numrin +355696796000 ose të dërgojnë një email në [email protected] për t’u informuar mbi emrin e aplikacionit dhe funksionalitetin e tij.