Simbol i modës perfekte, njihuni me udhëheqësen e markës luksoze “Prada”!

Miuccia Prada është një simbol i modës perfekte dhe progresive në industrinë e modës. Duke qenë udhëheqësja e Prada-s, ajo ka dizenjuar veshje gjatë gjithë jetës dhe nuk është penduar kurrë për zgjedhjen e saj. Diplomimi i saj nuk ka lidhje me atë çfarë ajo bën sot. Miuccia është diplomuar për shkenca politike në Universitetin e Milanos.

Mirëpo, si ka qenë jeta e Miuccia Prada-s, përpara se ajo të bëhej stilistja e Prada-s?

Lexoni më poshtë disa fakte interesante që mbase më parë nuk i kishit lexuar:

1. Miuccia lindi në Milano në vitin 1949. Ajo është mbesa më e vogël e Mario Prada, themeluesit të Prada (1913). Në atë kohë, biznesi i tij kishte emrin ”Fratelli Prada’’ (vëllezërit Prada) dhe fillimisht shiste mallra për kafshë dhe importonte të brendshme angleze dhe çanta dore.

2. Gjyshi i saj vdiq kur ajo ishte 9-vjeçe. Mario Prada nuk besonte se gratë duhet të kishin një rol në biznes dhe kështu ai parandaloi anëtaret femra të familjes së tij të hynin në kompaninë e tij. Për ironi të fatit, djali i Mario-s nuk kishte interes në biznes, kështu që ishte nëna e Miuccia, Luisa që pasoi Marion.

3. Në 1973, Miuccia u diplomua me një Ph.D. në shkenca politike nga Universiteti i Milanos. Më vonë ajo ishte anëtare e Partisë Komuniste Italiane dhe e përfshirë në lëvizjen për të drejtat e grave. Edhe sot idetë feministe të Miuccia-s mund të gjenden në pothuajse çdo koleksion të Prada-s. Ajo e ktheu konceptin e tërheqjes femërore duke larguar klishetë që lidhen me gjininë.

Sipas Miuccia, nuk ka asgjë të keqe me faktin që një grua pëlqen të vishet bukur, por në të njëjtën kohë, kjo nuk do të thotë që ajo duhet të duket si një kukull.

4. Luisa Prada drejtoi kompaninë për 20 vjet para se vajza e saj ta zëvendësonte atë në 1978.

5. Në atë kohë, ajo u takua me Patrizio Bertelli. Në fillim, ata ishin thjesht partnerë biznesi dhe më vonë u bënë një çift i martuar (1987). Tani ata kanë 2 djem. Ishte Patrizio ai që i dha gruas së tij idenë për të prodhuar jo vetëm çanta, por edhe veshje nga Prada.

6. Logoja e Prada nuk është aq e dukshme, si për shembull tek marka tjetër luksoze Louis Vuitton. Miuccia u përpoq që logoja të mos ishte në qendër të vëmendjes, por që njerëzit që e njohin Pradën, e dinë se kujt marke i përket veshja ose çanta.

7. Në vitin 1985, Miuccia lancoi “çantën klasike Prada” që u bë një sensacion brenda ditës. Edhe pse praktike dhe e guximshme, linjat e saj të hijshme dhe mjeshtëria kishin një luks që është bërë nënshkrimi i Prada-s. Kjo çantë e zezë najloni mund të blihet edhe sot.

8. Në vitin 1992, Miuccia themeloi Miu Miu që i përket plotësisht Prada-s. Ajo e quajti atë me pseudonimin e saj, Miu Miu. “Miu Miu u krijua për gratë me stil dhe të rafinuara që duan të shkojnë përpara trendeve të modës”.

9. Miuccia u bë e para në botën e modës që filloi të bashkëpunonte me artistë. Në vitin 2008 dhe 2018, për shembull, ajo përfshiu artistin komik James Jean në krijimin e koleksioneve të saj të reja. Ai gjithashtu krijoi një pikturë murale për dyqanet “Prada Epicenter” në New York dhe Los Angeles.

10. Bluzat me shprehje nuk janë stili i Prada-s. “Mendimet e mia janë komplekse. Unë kurrë nuk do të isha në gjendje t’i shprehja ato me një fjalë”-thotë Miuccia.