Çudia e Festivalit të 55-të të Këngës në RTSH, refuzohet kënga e Aleksandër Gjokës
Festivali i 55-të i Këngës në RTSH ka prezantuar profilet e 24 artistëve në garë, mes të cilëve si më të njohurit që synojnë skenën e Eurovizionit janë: Linda Halimi, Flaka Krelani, Genc Salihu, Lynx, Neki Emra, Tiri, Xhesika Polo, Rezarta Smaja, Xuxi, Ylli Limani. RTSH ka njoftuar se do të informojë publikun rregullisht për gjithçka që lidhet me përzgjedhjen dhe votimin, sepse këtë vit, për herë të parë në festival, fituesin e zgjedh veç jurisë profesioniste edhe publiku. Ndërkohë sipas burimeve të revistës “Story”, edhe pse gjithmonë është folur se ky festival ka vuajtur për mungesën e emrave të njohur të muzikës, këtë vit ka ndodhur që është refuzuar krijimi i një emri shumë të famshëm në muzikën shqiptare, Aleksandër Gjokës. Kompozimin e tij do e këndonte Adhurim Demiri, por kënga nuk ka kaluar dot fazën e përzgjedhjes muzikore nga pesë anëtarët: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Bojken Lako, Florent Boshnjaku dhe Genti Rrushi. Sipas burimeve tona të sigurta muzikantët e stafit përzgjedhës nuk e kanë pëlqyer këngën e një emri, që numëron shumë pjesëmarrje në festivalit e RTSH-së, ndërkohë që nuk dihet nëse Gjoka do të reagojë ndonjëherë për këtë refuzim pas shumë viteve karrierë. Ndërkaq, nisur nga lista e pjesëmarrësve në këtë kompeticion ka pasur fansa të festivalit që kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, duke evidentuar faktin se nuk shohin “asnjë këngëtar me emër në këtë festival të 55-të”. Në faqen e Festivalit në facebook, ata kanë marrë përgjigjen nga produksioni se: “do të befasoheni këtë vit me zërat e mrekullueshëm dhe këngët super moderne”.