Anglezët ikën nga Super League, por kanë tjetër projekt: British League me Celtic e Rangers
Sidoqoftë, ideja themelore mbetet e njëjtë. Hipoteza e grupimit të skuadrave më prestigjioze në një kampionat të vetëm mund të ketë dështuar në nivelin evropian, por mbetet e gjallë në mendjet e atyre që menaxhojnë futbollin. Sipas mediave britanike, Premier League po mendon të shndërrohet në një British League, duke i shtuar kampionatit anglez dy klubet më të rëndësishme skoceze, Celtic dhe Rangers, në mënyrë që ta bëjnë produktin më tërheqës dhe të shitshëm.
Asgjë e re, me pak fjalë. Vetëm se, në këtë rast, të vetmit që mund të ngrenë një zhurmë polemikash janë klubet e tjera skoceze që do të shihnin të rrëzohej niveli i tyre i ligës. Të famshmit “Big Six” (Manchester City dhe United, Chelsea, Liverpool, Tottenham dhe Arsenal), pasi kanë braktisur projektin evropian, mbeten megjithatë të bindur për nevojën e një ndryshimi. Përveç anëtarësimit të Rangers dhe Celtic, ideja është ajo e reformimit të kampionatin, duke e kthyer atë me 18 skuadra e me aplikimin e një lloj playoff mes katër të parave.