Postoi video gatimi në “Youtube”, kapet pas 7-vitesh arrati anëtari i Ndrangheta-s

Një anëtar i mafias italiane Ndragheta, ka rënë në prangat e Policisë pas 7 vitesh në arrati, pasi nuk mundi t’i rezistojë dëshirës për të treguar aftësitë e tij të gatimit në Youtube. Policia italiane e gjeti Marc Feren Claude Biart, 53 vjeç, përmes videove të gatimit që ai postonte në kanalin e tij në këtë platformë sociale.

Megjithëse ai e fshihte me shumë kujdes fytyrën, u identifikua nga tatuazhet që kishte në trup. Biart, i dyshuar si anëtar i organizatës mafioze Ndragheta, u arrestua në Republikën Domenikane të mërkurën e kaluar dhe tashmë është ekstraduar në Itali. Raportohet se ish-mafiozi jetonte një jetë të qetë në qytetin e quajtur Boca Chica. Ai ka qenë në arrati që prej vitit 2014, kur u shpall në kërkim nga autoritetet, me akuzën e trafikut të kokainës drejt Hollandës, si pjëse e klanit Cacciola, të familjes Ndragheta.

Ndragheta konsiderohet si një nga grupet më të fuqishme kriminale në botë pasi kontrollon pjesën më të madhe të kokainës që hyn në Europë. Baza e saj është ë Kalabri, rajoni që formon “majën e çizmes” se famshme të Italisë. Boss-i i familjes është Luigi Mancuso, i njohur si “Xhaxhai”, 66 vjeç. Ai së bashku me pjestarë të tjerë të rëndësishëm të grupi janë duke u përballur me drejtësinë në një prej gjyqeve më të mëdha të dekadave të fundit në Itali, ku janë nën akuzë 355 anëtarë të mafias dhe zyrtarë të korruptuar italianë, të vënë në bankën e të akuzuarve pas një hetimi të gjatë.

Gjatë seancës së parë të gjyqit u deshën 3 orë për të lexuar vetëm emrat e të pandehurve, ndërsa akuzat ndaj tyre përfshijnë vrasjen, trafikun e drogës, zhvatjen dhe pastrimin e parave. Më shumë se 900 dëshmitarë pritet të flasin në seancat gjyqësore, ndërsa i gjithë procesi planifikohet të zgjasë rreth dy vite.

/News31

Burimi: BBC