EKSKLUZIVE/ U “dënua” nga Partizani, Kardozo: Kam patur probleme familjare, ja e ardhmja ime
Sulmuesi brazilian i Partizanit, Lukas Kardozo, ka sqaruar situatën e tij në një prononcim për “Panorama Sport”, ku ka treguar arsyet pse ka munguar në stërvitje. Kardozo theksoi se ka pasur disa probleme familjare, por gjithashtu pranoi se nuk do të largohet nga Partizani gjatë kësaj merkatoje janari.
SITUATA – “Nuk jam paraqitur në dy seanca stërvitore. Kjo pasi nuk kam qenë i fokusuar te futbolli, pasi kam pasur disa probleme në familjen time në Brazil. Kam më shumë se 1 vit që nuk kam qenë në vendlindje dhe problemet që kanë pasur njerëzit e mi, kanë ndikuar tek unë. Nuk kam qenë 100% i fokusuar të stërvitem me klubin, prandaj kam munguar”.
VENDIMI – “Do të jem plotësisht dakord me çdo vendim që të marrë klubi, nëse më çon te skuadra e dytë ose nëse më gjobisin, pasi unë kam bërë gabim që nuk jam paraqitur në stërvitje”.
E ARDHMJA – “Do të qëndroj te Partizani! Kam pasur probleme personale, edhe unë e kam një familje. Kisha një periudhë ku nuk e kisha mendjen askund, as në futboll e as në gjëra të tjera. Nëse unë do të doja të largohesha nga Partizani do e bëja pa asnjë problem, duke mos shkaktuar probleme mes meje dhe klubit. Por nuk do të largohem gjatë kësaj merkatoje, do të qëndroj këtu”, përfundoi Kardozo sqarimin e tij.
PANORAMASPORT.AL