Largimi përgjithmonë nga ekrani, Portokallia, miqësitë e showbizit e deri te familja – Xhemi Shehu rrëfehet për festa!
Prej vitesh, Xhemi Shehu ishte një prej figurave televizive që na shoqëronte çdo të dielë në ekranin e Top Channel. Njëherë në “E Diell” e më pas në “Portokalli”, Xhemi u kthye në një nga personazhet më të dashura për publikun.
Ikja e Xhemit nga Portokallia ishte një nga lajmet surprizuese të vitit, por moderatorja nuk ka vendosur të lërë spektaklin, por të gjithë karrierën mediatike.
Në kopertinën e fundit për këtë vit të “RevistaWho”, Shehu ka dhënë një prej rrëfimeve më të bukura të saj të realizuar nga Iva Tiço dhe të shoqëruar nga fotot e shkrepura nga Endrit Mërtiri.
Ndër të tjera, ajo foli edhe për largimin nga ekrani.
“Kam bërë edhe programe të tjera, që nuk është se më kanë ngjallur ndonjëfarë interesi ose më kanë dhënë ndonjë kënaqësi. I kam bërë se duheshin, por jo nga pasioni apo dëshira. I bëja, sepse doja të rikthehesha në ‘Portokalli’. Prandaj dhe u tërhoqa nga ‘Portokallia’ sepse s’po merrja më kënaqësi, dhe prandaj po them duhet të ndodhë ndonjë çudi që unë të rikthehem prapë, gjithmonë në një format të ngjashëm me ‘Portokalli’-në. Nuk kam fare ambicien që të bëj programe të tjera”, – ka rrëfyer Xhemi.
“Kështu që me shumë gjasa i bie që unë jam tërhequr dhe e kam mbyllur njëherë e mirë me televizionin, sepse nuk është se mendoj se do bëhet diçka po aq e mirë sesa ‘Portokalli’-a dikur, sepse kjo që po shohim tani nuk mendoj se është maksimumi i atij spektakli. Ose mbase dhe është ezauruar dhe me kohën… Nuk e di, nuk di çfarë të them, por nuk më tërheq më”, – është shprehur moderatorja duke thënë kështu se ka hequr dorë nga televizioni.
Jo vetëm kaq, por Xhemi foli edhe për marrëdhënien me emra si Eneda Tarifa, Arbana Osmani apo personazhe të Portokallisë.
“Me Enedën? Me Enedën kam tentuar që të jem shoqe, por nuk ishte e thënë. Kështu që e kam thjesht kolege. Dhe tani nuk e kam asgjë, sepse nuk besoj që do punoj ndonjëherë më me të”, – ka treguar moderatorja për të shtuar më pas: “Shkoj shumë mirë me Salsanon, me Gazin, me Ledion. Tani unë mirë shkoj me të gjithë, që të kuptohemi, por me këta pak më shumë. Pastaj dhe me Albana Perhatin, Algionën edhe me Flor Binajn, me të cilin kam pasur më tepër marrëdhënie kur kam qenë në sezonin e parë fare. E njoh më përpara se Gazin, se Salsanon, por tani nuk është se bëhemi shumë”.
Përsa i përket Arbanës, Xhemi tregon: “Me Arbanën jam njohur dhe kam bashkëpunuar për herë të parë gjatë ‘Top Fest 3’, por shoqërinë e kemi krijuar gjatë ‘E Diell’, në 2008-ën. Që prej asaj dite jemi lidhur përjetë le të themi. E kam më shumë se shoqe, e konsideroj familje dhe jam me fat për këtë gjë!”