Nazi i grupit “Aurora” rrëfen rikthimin pasi publiku s’i ka parë për 3 vjet: Tani këngët i bëj për 1 sekond!

Djemtë e grupit të famshëm nga Kosova “Aurora” kanë qenë të ftuar së fundi në programin “N’kosovë Show”, ku kanë folur rreth arsyeve të pathëna në lidhje me pauzën 3-vjeçare në muzikë, periudhë kur publiku s’i ka parë askund. Nazi (Nazmi Sfishta), pyetjes së moderatorit se pse kanë ndalur këto vite në muzikë iu përgjigj:

“Jemi këtu për rikthimin tone në muzikë. Jemi duke organizuar projektet tona muzikore për t’u lançuar vitin e ardhshëm. Ne e kemi shprehur se në vitet 2017, 2018-të, 2019-të do të mungojmë në tregun e muzikës, dhe e kemi mbajtur fjalën”. Por pse ndodhi kjo shkëputje nga ky grup shumë i dashur për publikun? “Ka ndodhur, ky është fakt”, u përgjigj anëtari tjetër i grupit, Ylli. “Sepse ne kemi pasur strategjitë tona si grup për të qenë në skenë më të qëndrueshëm, për një kohë të gjatë. Kështu që me Nazin e kemi pasur të nevojshme për këtë pauzë vetëm në raport me publikun, sepse ne raport me krijimin kemi vazhduar punën”.

Më pas moderatori ka sjellë në vëmendje thyerjen e një rekordi më pare nga Nazi në studio, kur një këngë arriti ta krijonte për 3 minuta. E kur një këngë e bën për 3 minuta, pse duhet të pushoje 3 vjet?, pyeti ai. Nazi vazhdoi rrëfimin e histories personale dhe sekretit të tij: “Njëherë e kam pasur rekordin për 10 minuta. Kam arritur tek 3 minutëshi, e më pas tek 3 sekondëshi. Kjo që do them tingëllon paradoksale, por aktualisht e kam arritur ta bëj një këngë për 1 sekond, me vijë melodike, me tekst e me vijë orkestrale. Merita është e të madhit Zot, nuk është e imja! E kjo nuk matet në aspektin matematik, sepse kjo lidhet në aspektin e ndjeshmërisë. Kështu që ka momente kur ti nuk je në dispocion, që për një ditë nuk je në gjendje të krijosh, e kjo s‘do të thotë se gjithmonë arrij ta bëj këngën për një sekond. Por shumicën e rasteve, e aktualisht me meritën e Zotit, jam në gjendje ta krijoj për një sekond këngën!”, tha ai.


Nazi tregoi se prej datës 1 prill 2018 nuk prodhon këngë as për vete, as për grupin “Aurora”, as për askënd. “Zoti, më ndali!” Arsyeja? “Sepse kemi aq shumë këngë ne grupi “Aurora” që i kemi krijuar, sa të them të drejtën është një lloj ngarkese e jashtëzakonshme. Ndaj duhet ta kisha bërë këtë ndëprerje. Njeriu nga natyra është një grumbull i energjisë, që nënkupton se njeriu duhet ta kanalizojë energjinë e tij. Dhe se ku Nazi e ka derivuar energjinë e tij, tek një revulucion që ka marrë përsipër, shkenca apo politika, mësojeni në intervistën që po i bashkangjisim këtij shkrimi, konkretisht në minutazhin 41:40-1:25. Në fund ai krijon dhe një këngë aty për aty në studio. Kujtojmë që grupi “Aurora” është formuar në vitin 2002 me inciativën e disa djemve shumë ambiciozë, dhe përbëhehej nga 4 anëtarë: Nazmi Sfishta, Alban Mehmeti, Ylli Valla dhe Ylli Zajmi. Si themelues i grupit njihet Nazi (Nazmi Sfishta), i cili ka qenë muzikant më me përvojë nga shokët e tij. Zhanri i muzikës së grupit Aurora është Pop R&B. Tani anëtarët e grupit janë vetëm 2: Nazi dhe Ylli. Gjatë pjesëmarrjeve në garat më të rëndësishme të muzikës në Shqipëri, ata kanë spikatur me disa hit-e, mes të cilave përmendim “Larg je ti”, “Le-Le Kaçurrele”.

Ndiqni videon nga minuta 41:40 deri në 1:25:40

www.story.al