Nik Xhelilaj rrëfen projektin që “i mbeti peng” me Gjergj Xhuvanin para se të ndërronte jetë

Aktori i njohur Nik Xhelilaj ishte i ftuari i sotëm i emisionit të përjavshëm “Pardon My French” me Jonida Aliçkollin dhe Kejvin Kalon në Top Albania Radio.

Ndonëse ka munguar në intervista, këtë herë Niku nuk ka ngurruar të tregojë mjaft detaje që nuk i dinim më parë për të.

Xhelilaj ka rrëfyer ndër të tjera edhe për projektin e lënë përgjysmë me regjizorin e producentin e ndjerë, Gjergj Xhuvani.

“Para se të ndërronte jetë, miku im Gjergj Xhuvani ishte në Itali, ku po merrej me montazhin e projektit të tij të fundit. Para se të ikte më thotë që kam një gjë për ty dhe dua ta ndaj… se kishim vite që ishim bërë miq”, – tregon Nik Xhelilaj.

“Kishim në plan një ide shumë interesante, mesa mbaj mend, në lidhje me Enver Hoxhën kur ka qenë i ri. E kisha në mendje dhe ishte shumë interesante, por nuk di më shumë se me tërë mend di shumë pak sepse më tha jam akoma në proces mendimi dhe do të ta jap dhe skenarin”, – rrëfen më tej aktori i njohur shqiptar.

“E kam me ty në kokë, më tha, se do bëjme diçka me atë [Enverin] kur ishte i ri dhe vjen në Shqipërinë e sotme”, – përfundon Niku.

Ndër të tjera, Xhelilaj ka treguar se një nga dëshirat e tij është të luajë në një rol mbretin Zog pasi e sheh si një figurë mjaft komplekse dhe ka mjaft për të treguar për të.